Ngjela: Udhëheqësit e Kosovës nuk e dinë që janë fitues të luftës, Kurti po i mëson Ramës patriotizmin

12 vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka pasur probleme të mëdha në qeverisje. Kështu mendon avokat Spartak Ngjela, i cili në studion e Ditarit në A2, u shpreh se me përjashtim të Ramush Haradinajt, udhëheqësit e tjerë nuk janë treguar të fuqishëm.

“Unë kam vënë re që nuk e dinë që janë fitues të një lufte dhe Serbia është e mundur. Si ka mundësi që t’i lutesh të mundurit? Ne shqiptarëve na kanë ndodhur shumë gjëra që nuk i kanë ndodhur popujve të tjerë”, tha Ngjela. “Kurti u paraqit mirë dhe foli drejtpërdrejt. Pak a shumë u tha që kemi fituar luftën me ju dhe vuri 3 kushte për bisedat mes tyre, që s’ka nevojë për hartë. E gjithë politika shqiptare vërtiten të gjithë bashkë për të copëtuar shtetin e Kosovës. Nuk e bëjnë dot. Kurti artikulohet më mirë nga të gjithë politikanët shqiptarë që nga viti 1944”, u shpreh avokati duke komentuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

“Taksa 100% është doktrinë amerikane”

Sa i përket taksës me 100% të vlerës ndaj mallrave serbe që ka Kosova, Ngjela e quajtur një akt politik të guximshëm. Por ai tha se nuk është politikë shqiptare. “Taksa është doktrinë amerikane. Veç Amerikës nuk e ka ndonjë shtet tjetër. Kosova e vendos sepse është në momente të vështira. Politika e lartë amerikane nuk e ka prekur, por shihet që thotë bëjeni këtë lëshim”, tha Ngjela. “Kosova është eurozonë, nuk është punuar atje me dinarë. Pra Serbia ka një dëm në eksport. Fakti që është kaq e shqetësuar dhe kërkon heqjen e taksës e vërteton këtë”.

Reciprociteti

A do t’i rezistojë Kurti presionit? Ngjela mendon se ende nuk është shtjelluar koncepti i Kurtit për reciprocitetin, por Perëndimi këmbëngul për heqjen e taksës për dy arsye. “Njëri është që mund të kalojë në degradim të madh ekonomik dhe rimëkëmbjen do ta paguajë prapë Perëndimi. Por ka edhe diçka tjetër, nga do të kalojë Serbia, nga perëndimi apo Moska?”, tha Ngjela. “Reciprociteti nuk është zbërthyer ende si koncept. Liderët e vjetër donin të bënin shkëmbim territoresh, por këtë donte edhe Milosevic. Këta nuk njohin historinë. Kryeministri aktual ka të njëjtën forcë me Haradinajn, por artikulohet më qartë dhe më fort”.

A do të jetë 2020-a viti i marrëveshjes?

Të gjithë presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje përdundimtare këtë vit. Por për avokat Ngjelën, kjo nuk është thelbësore. “Po të jesh me një politikë të kthjellët, ç’na duhet marrëveshja? Nuk na hyn në punë. Nuk ka asnjë rrezik që Kosova të pushtohet nga Serbia. Marrëveshjen e duan ndërkombëtarët. Kosova është shtet i poavarur edhe pa marrëveshjen. Rëndësinë për pavarësinë e një shteti është kush qeveris, jo kush të njeh”, tha Ngjela.

“Kurti ka hyrë si ultra i majtë, por politika e madhe në momente krize nuk do t’ia dijë. Kjo ka rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës, por në këto momente politika është për të garantuar ato që ke fituar dhe nuk kanë fituar pak. Por ngrirja e çështjes së Kosovës ka ngrirë të gjithë procesin pozitiv për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor. Ka pasur lëvizje të tilla edhe në Maqedoni, ku shqiptarët janë faktor shtetformues dhe të ardhurit iu thonë jeni të ardhur. i gjithë ky është një fenoment “albanez”. I pari që e hodhi këtë është Arbën Xhaferri”.

Marrëdhëniet Rama – Kurti

Ngjela komentoi edhe marrëdhëniet mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës: “Ka inferioritet Rama ndaj Kurtit. E dalloj që ka kompleks inferioriteti. Duhet ta durojë sepse është më i aftë Kurti dhe po i mëson patriotizmin. Mendoj që do të krijojë risi edhe në verbin politik të politikës shqiptare”.