Liria dhe pavarësia u ndërtuan me mund, tha Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në pritjen shtetërore të organizuar me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë. “Edhe liria dhe pavarësia e vendit u ndërtuan me mund, përpjekje dhe sakrificë. Me luftë, me unitet qytetarë, politik dhe institucional. Është meritë e secilit për tërë këto vite dhe më herët që kontribuuan në një formë a formën tjetër që të vijmë në këtë ditë të 12-vjetorit të pavarësisë”, tha Thaçi.
Ndërsa përmendi perspektivën europiane dhe qëllimin e palëkundur për anëtarësim në institucionet euro-atlantike, kreu i shtetit kërkoi një klimë më të mirë mes qeverisë dhe opozitës. “Objektivi i të gjithë neve, partive politike, shoqërisë civile, është që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s. I tërë ky angazhim do të vazhdohet nga të gjithë, në një koordinim edhe më të mirë ndër institucional dhe me një klimë edhe më të mirë pozitë, opozitë. Kemi realizuar deri më tani edhe lirinë edhe pavarësisë dhe mund të realizojmë edhe aspiratën e tretë që të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Europian në të ardhmen e afërt edhe pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha Presidenti Thaçi.
Të pranishëm në pritjen shtetërore ishin kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti me kabinetin e tij qeveritar, deputetë të Kuvendit, ish -presidenti Fatmir Sejdiu dhe përfaqësues të ambasadave të huaja në vend.