Për pak ditë, zyrtarët e Kosovës do të vendosin lidhur me heqjen e tarifës 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Këtë e konfirmoi kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, duke nënvizuar se do të ketë një takim mes partnerëve qeverisës për të diskutuar mbi afatin kohor të largimit të masave ekonomike dhe vendosjes së reciprocitetit.
“Lidhur me konkretizimin e asaj marrëveshje dhe hapave që vijnë ndërkohë këto dy-tri ditë do të kemi një takim koordinues. Do të vendosen hapat qoftë për aspektin kohor, qoftë për nga aspekti përmbajtësor në atë marrëveshje që ka të bëj me tarifën”, deklaroi kryeparlamentarja.
Osmani bëri thirrje për unifikim të politikës së jashtme nga tri institucionet kyçe të shtetit, por edhe të partive të tjera parlamentare dhe shoqërisë civile në dialogun me Serbinë.
“Është obligim politik dhe obligim kushtetues i të gjitha institucioneve të vendit. Kuvendi i Kosovës këtu ka një obligim kyç sepse ashtu si e ka sqaruar vendimi i Gjykatës Kushtetuese se ndërtimi i politikës së jashtme bëhet nga Qeveria në bashkëpunim me Kuvendin. Në Kuvend ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe në konsultim me presidentin e vendit. Në këtë fazë që Kosova ka sfida të jashtëzakonshme në politikën e jashtme, jo vetëm në procesin e dialogut me Serbinë”, shtoi Osmani.
Sa i përket pjesëmarrjes së kryeparlamentares në pritjen shtetërore të presidentit, Hashim Thaçi, Osmani tha se respektoi Protokollin pasi e tillë ishte pritja dhe nuk ishte private.