Ilaçi kundër malaries, efikas në trajtimin e pacientëve me koronavirus

Koronavirusi Pacient Wuhan 1100x620

Ekspertë të shëndetësisë në Kinë thanë se kishin zbuluar një metodë efikase për trajtimin e koronavirusit të ri. Ilaçi i përdorur kundër malaries, klorokin fosfati rezulton të ketë efekte kurative ndaj virusit të emërtuar COVID-19, sipas një mjeku në Kinë. Pacientëve iu janë dhënë gjithashtu medikamente antivirale.

“Sipas studimeve të kryera në institucione klinike, kemi konfirmuar se klorokin fosfati është efikas në trajtimin e koronavirusit të ri, megjithatë duhet të tregojmë kujdes ndaj sigurisë së këtij medikamenti”, tha Sun Yanrong, Qendra Kombëtare për Zhvillimin Bioteknologjik.

Ndërkaq, qindra raste të reja me koronavirus janë raportuar në bordin e anijes kroçerë Diamond Princess, e cila po mbahet në karantinë në brigjet e Japonisë që prej shkurtit. Periudha e izolimit duhej të përfundonte në 19 shkurt por mund të zgjatet më tej.

Shtetet e Bashkuara kanë riatdhesuar qindra amerikanë nga anija dhe po i mbajnë ata në një bazë ushtarake në Teksas. Edhe autoritetet britanike njoftuan se po punojnë për të riatdhesuar qytetarët britanikë me avionë.

Një tjetër anije amerikane, Westerdam, u lejua të zbarkonte pasagjerët në Kamboxhia në 14 shkurt, pasi disa ditësh lundrim e pasi disa vende kishin refuzuar ti hapnin dyert. Në bord gjendeshin rreth 1200 pasagjerë.

Kompania që ka në pronësi anijen tha se të gjithë pasagjerët ishin të shëndetshëm pavarësisht shqetësimeve për mungesën e kontrolleve, megjithatë, 1 prej tyre rezultoi si pozitiv ndaj virusit disa ditë pas zbarkimit të anije. Në anijen me turistë gjendeshin edhe shtetas italiane, një prej të cilëve është rikthyer ne vend.