Konferenca e Donatorëve, Vasili: Ndihma nuk iu dha qeverisë

Petrit Vasili, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i ftuar në studion e Ditari në A2, theksoi se është “zhgënjim dhe hidhërim kur shikon se SHBA dha 5 milionë dollarë për të ngritur një akademi transparence dhe llogaridhënie për donacionet dhe fondet publike” që u dhanë për rindërtimin e vendit pas tërmetit në Konferencën e Donatorëve.

“Kjo krijon bindjen se shqetësimet që ke ngritur janë të drejta. Me 5 milionë dollarë mund të ndërtoheshin shumë shtëpi, por po përdoren që grabitqarët e qeverisë të mos vjedhin. Ky është lajm i dhimbshëm”, deklaroi Vasili.

“Evropa na dha ndihmë për të kaluar një problem të madh, jo se ne i kemi bërë mirë detyrat tona. Ndihma nuk iu dha qeverisë dhe për ta kuptuar këtë mjafton të shohim se si u ngrit një institucion për të ruajtur transparencën. Ende nuk dimë sa ka hedhur qeveria shqiptare për tërmetin. Përsa kohë nuk e dinë shqiptarët këtë gjë, komentojmë sa na dha bota. Është turp që nuk e kemi shifrën e qeverisë”, shtoi Vasili.

Në lidhje me uljen e opozitës jashtëparlamentare në tryezën e Reformës Zgjedhore, Vasili tha: “Kishte një mundësi për të dhënë një kontribut në një nga 9 momentet kyç të Bundestagut që të hapen negociatat. Një nga pikat e vetme që mund të ishim disponibël ishte kjo pjesë. U vumë në dispozicion që reforma të kryhet dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”.