Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

Mesazhet e Presidentit, vetëm fjalë apo dhe aksion?

Nga A2 CNN
19 Shkurt 2020, 20:10 | Politikë
Mesazhet e Presidentit, vetëm fjalë apo dhe aksion?

“Zoti Meta dha deklaratë sot, por jo Presidenti i Republikës. Zoti Meta përdori një rast për të devijuar praktikën presidenciale. Nuk ishte një sjellje presidenciale dhe kjo nuk i bën mirë as institucionit të Presidentit në vazhdimësi”.

Kështu u shpreh në A2 analisti Afrim Krasniqi, i cili shtoi më tej se nga ana tjetër edhe nisma e fundit e mazhorancës për krijimin e institucionit të betimit kudo, me përjashtim të zyrës së presidentit, është kapërcim i çdo norme kushtetuese. “Në vend që të marrë zgjidhje ligjore, palët kanë kalkuluar mundësinë për zgjedhje të reja dhe janë duke kalkuluar mundësinë për të mbledhur vota. Meta duket se është në dilemën e madhe për të qenë president apo lider i një partie”, u shpreh ai.

Por çfarë do të ndodhë në 2 mars në bulevard?

“Asgjë. Është normale që një numër i madh qytetarësh të dalin në protestë. Mbase nuk është normale që nuk pati protesta gjatë muajve të fundit. Problemi është se kemi disa zhvillime paralele. Nga njëra anë është Këshilli Politik, nga ana tjetër kemi një nismë që kthehet në 2 mars. Në kushte të tjera kjo nismë mundi i shkonte Presidentit, por jo në kushtet tona. Në historinë e presidentëve pas tranzicionit, i vetmi rast kur presidenti ka bërë thirrje për protesta dhe ka drejtuar protesta është Rumania e vitit 2007, por me dallim të madh nga Shqipëria, pasi atje presidenti zgjidhej nga populli”.

Aludimi për shpërndarje të Parlamentit

“Nuk besoj se është çështje dekretesh për të shkuar deri në atë pikë. Që në janar, Meta e ka bërë të qartë se zgjidhjen e shikonte te referendumi popullor dhe kërkesa e tij për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, për të kaluar me votim nga populli, është kërkesë e drejtë dhe e vjetër. Retorika tjetër, do t’i kthejmë institucionet popullit, në emër të popullit do të ndryshojmë, nuk shkon nga politikanë që kanë 30 vjet që i kanë humbur lidhjet me popullin. Ka disa mekanizma që presidenti mund t’i përdorë edhe në kushtet aktuale, për të agravuar situatën, por çështja është se asnjëra prej tyre nuk ofron zgjidhje. Nëse nxirret një dekret për shpërndarje të Parlamentit, është një ftesë për konflikt dhe jo për zgjidhje. Nëse opozita do t’i përgjigjet thirrjes së Presidentit, atëherë Meta merr një rol lideri”.

Cila është zgjidhja e krizës?

“Zgjidhja, në këto kushte, është një marrëveshje politike për ta çuar vendin në një test të ri politik. Një test i ri që zgjidh një sërë problematikash dhe i shoqëruar edhe me ndryshime në kodin zgjedhor, në ligjin për partitë politike. Kjo do të ishte një zgjidhje afatgjatë. Në dijeninë time, për këtë as presidenti dhe as partitë politike nuk kanë ende një platformë konkrete”.

Komentet e Metës për ambasadorët

“Nuk është gjuha e presidentit. Ka një kontrast të thellë. Nga njëra ana sulmon ambasadorët dhe nga ana tjetër zgjidhja kërkohet po nga të huajt. Është një lojë politike që nganjëherë nuk duhet t’i marrim seriozisht”.

A mund ta shkarkojë mazhoranca Presidentin?

“Mazhoranca nuk arrin dot të shkarkojë presidentin, pasi do t’i duhen vota në Gjykatën Kushtetuese. Por edhe para se të shkojë Gjykatë Kushtetuese do t’i duhet një garanci e plotë edhe nga partnerët kombëtarë dhe nga ana tjetër duhet të zgjidhet edhe problemi i betimit. Nuk mund të ndodhë askund që dikush të lëshojë letër pa marrë një vulë. Është një zgjidhje e sforcuar, por që ka pasoja për vendin. Opozita është e hapur për marrëveshje, po ashtu edhe Rama. Në këtë pikë mungon një qëndrim i qartë ndërkombëtar se çfarë duan në Shqipëri, sidomos në aspektin e kësaj problematike”.

https://a2news.com/2020/02/19/yuri-kim-takon-lideret-politike-iu-kerkon-pjekuri-javet-e-ardhshme-te-rendesishme/
https://a2news.com/2020/02/19/meta-gjysmeparlamenti-i-deledeputeteve-dhunon-popullin-shqiptar-proteste-me-2-mars/?utm_source=a2-related&utm_source=a2pages&utm_campaign=hp-related

A2 CNN Livestream

Dita jonë