Gjiknuri: Nuk më duket normale që të bllokohet vetting-u për Kolegjin Zgjedhor

Damian Gjiknuri, bashkëdrejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, pas mbledhjes së sotme të Këshillit Politik, deklaroi se nuk është normale që të bllokohet vetting-u për Kolegjin Zgjedhor.

“Po bëjmë progres në disa çështje, por nuk më duket normale që të bllokohet vetting-u për Kolegjin Zgjedhor. Ata që kanë kaluar vetting-un, të jenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor”, tha Gjiknuri kur u pyet për propozimet e Partisë Demokratike, që ka hedhur sot në tryezën politike të Reformës Zgjedhore propozime të reja sa i përket ankimimit të procesit.

Synimi është që Kolegji Zgjedhor të mund të gjykojë jashtë presionit të vettingut. Për këtë, propozohet një trupë prej 15 anëtarësh nga gjykatat e shkallës së parë dhe apelit në të gjithë vendin, me të paktën 7 vite përvojë si gjyqtarë e që nuk kanë masa disiplinore në fuqi. Ata do të përzgjidhen me short nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, jo më vonë se 5 ditë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve. Pas shortimit, 15 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor duhet të betohen në prani të KLGJ-së dhe nën drejtimin e Presidentit të Republikës.

Për të shmangur presionin e vettingut ndaj anëtarëve të përzgjedhur me short, ky proces për ta shtyhet në fund të listës së gjyqtarëve për t’u verifikuar. Nëse procesi i vettingut ka nisur, ai ndërpritet dhe rifillon vetëm kur të jenë kontrolluar të gjithë gjyqtarët e tjerë të Republikës që nuk janë pjesë e Kolegjit Zgjedhor.