Grevat në Ballsh e Poçem, grevistët apel ambasadorëve: Shteti nuk na dëgjon

Ka hyrë në ditën e 8 greva e urisë e punonjësve të nënstacionit elektrik dhe atij të pompimit në Poçem, të cilët kanë 27 muaj pa marrë pagat e tyre.

Gjendja shëndetësore e grevistëve sa vjen dhe rendohet, e megjithatë ata shprehen të vendosur për të vazhduar sakrificën e tyre deri në marrjen e pagave. Ndërkohë që nuk ka asnjë reagim nga institucionet shtetërore, grevistët në ditën e 8-të të grevës u kanë bërë thirrje ambasadorëve në Tiranë.

“Situata sa vjen e përkeqësohet. I bëjmë thirrje ambasadave të ndërhynë se është turp i madh për ne dhe gjithë qeverinë. Po nuk morëm rrogat tona, nuk do të luajmë. Këtu do të vdesim”, thotë njëri nga grevistët në Poçem.

 Ndërkohë në Ballsh ka hyrë në ditën e katërt greva e urisë e naftëtarëve, të cilët gjithashtu kërkojnë pagat e prapambetura dhe rifillimin e punës në rafinerinë e naftës me të gjithë punonjësit e saj.

Edhe këtu gjendja shëndetësore e grevisteve vjen duke u renduar, ndërsa askush nuk pranon të tërhiqet pa u plotësuar kërkesat minimale që kanë për punën  e bërë.

“Ne nga shteti kërkojmë rrogat e prapambetura dhe të vazhdojë puna në qytetin e Ballshit”, thonë ata.