Superjahti luksoz, tërhiqet nga balona për të mos ndotur ambientin

Një kompani turke ka zbuluar prototipin mahnitës të një jahti 64 metra të gjatë që lundron falë një balone gjigante, një mënyrë e shpikur për të shmangur ndotjen e ambientit.

“Ice Kite” është një mjet luksoz lundrimi i realizuar nga “Red Yacht Design”. Siç ndodh gjithmonë me jahtet e këtij niveli, ka një pishinë, një vend për parkimin e helikopterit dhe një varkë “ndihmëse”, në të cilën mbahet një mini-nëndetëse prej nga mund të eksplorosh botën nënujore.

Jahti ka gjithashtu edhe një bar dhe një verandë, si edhe një xhakuzi. Brenda tij mund të qëndrojnë deri në 10 persona, çka e bën të përshtatshëm edhe për familje. Gjithsesi, jahti është i pajisur edhe me dy motorë elektrikë me 735 Kë fuqi, me të cilët mund të lundrojë me një shpejtësi deri në 37 km/h. Jahti nuk ka ende një çmim, por ndërtimi mendohet të fillojë përgjatë muajve të ardhshëm.