Testimi për kreun e BKH, Ylli Pango: Poligrafi, jo gjithmonë detektor i së vërtetës

Edhe pse mendimet vazhdojnë të jenë të ndryshme edhe në ato vende ku poligrafi ka të drejtën më të madhe të qytetarisë, akademiku në fushën e psikologjis, Ylli Pango thotë se ka njerëz që fshehin të vërtetën me mjeshtëri.

“Pyetjet mund të kombinohen. Pyetja neutrale kombinohet me pyetjen që godet në shenjë. Fillon me pyetjet, ku banoni? Ku keni lindur? Më pas, vazhdon me pyetjet që prekin ato që njeriu mund të fshehë. Ka edhe pyetje direkte, të tipit: A jeni marrë ndonjëherë me drogë? Por edhe këtu ka mjeshtër”, tregon Ylli Pango.

Të njohësh se si mendon njëri apo efektet e të menduarit kur i përgjigjet pyetjeve, sipas Pangos, lidhet me efektet fiziologjike dhe efektet e të menduarit. Sipas tij, në vendet eurpiane, poligrafi nuk është kaq i mirëpritur.

“Qarkullimi i gjakut, rrahjet e zemrës, djersitja, plus këtyre dihet, është edhe gjuha e trupit. Në SHBA, ku poligrafi është i preferuar, një përqindje e konsideruar ekspertësh e vlerësojnë pozitivisht, por ka edhe një përqindje që e konsiderojnë të dyshimta. Poligrafi ka vlera, por ato janë të kufizuara dhe nuk mund të merret gjithmonë si detektori i së vërtetës apo i gënjeshtrës”, shprehet psikologu.

Ai thotë se pyetjet e ngritura ndaj drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të jenë specifike dhe dinake.

“Ky është një tregues që njeriu, pavarësisht nga fakti që përpara një makine të tillë shfaq një pjesë të asaj që mund të mbulojë, sërish truri i njeriut është një enigmë e madhe”, shprehet Ylli Pango.