Izmir Smajlaj, kampioni fluturues që stërvitet në kushte ekstreme

“Jam 22 centimetra më mirë se çdo vit tjetër. Në verë shpresoj se do të kërcej 8 metra e 30. Ëndrra ime më e madhe është të kap Olimpiadën që është 8 metra e 22 centimetra”.

Izmir Smajlaj, një kampion i rritur në kushtet më të pazakonta, i stërvitur në pedonalen e Shkodrës, nga ku u shpall kampion Europe.

Një sportist elitar që vuan mungesën e stafit, duke u detyruar që së bashku me trajnerin-president të Federatës të punojnë edhe vetë rërën me lopatë, apo të blejë pajisje sportive të përdorura.

“Shqipëria është me fat që ka një atlet si Smajlaj, një talente për të cilin të gjithë duhet të përkushtohemi. Unë kam lënë familjen jashtë, duke u marrë me Izmirin për të kontribuar, pasi është e pamundur për të gjetur një grup me doktor, psikolog, për t’i qëndruar nga mbrapa. Do kushte, do palestër, masazhator, deri te punëtori që të punojë gropën e rërës, të filtrojë rërën”, shprehet Gjergj Ruli, kreu i Federatës Shqiptare të Atletikës dhe trajner i Smajlajt.

Izmir Smajlaj dhe trajneri Gjergji Ruli gjatë një seance stërvitore ne “Elbasan Arena”

Izmir Smajlaj është shqiptari kampion Europe. Rekordmen i padiskutueshëm, që stërvitet në kushte ekstreme. Të paimagjinueshme për një sportist të nivelit të tij në arenën ndërkombëtare.

“Nëse do të kishim një grup pune, rezultatet do të ishin më të mëdha. Të paktën të kishim një fizioterapist, ose një doktor. Në Stamboll ishim ekipi i vetëm që nuk kishim një fizioterapistë”, shprehet Smajlaj.

“Me pak përkrahje do të shihni mrekulli te këto atletë. Smajlaj është një “Lamborghini” që do një autostradë t’i japë gaz”, thotë Ruli.