Nëse do të ndalonit së fjeturi!

“Gjumi është zinxhiri i artë që lidhë shëndetin me trupin tonë së bashku”, thotë aktori Thomas Dekker. Por të imagjinojmë sikur nuk do të flinim kurrë. Çfarë do t’i ndodhte trupit tonë? Po trurit? Në Imagjinatë, do t’iu tregojmë se çfarë do të na ndodhte sikur ne të mos flinim kurrë.

Zgjohu! Sërish je vonë? Disa herë të gjithë ne dëshirojmë që problemin e zgjimit në mëngjes mos ta kishim kurrë… Por të imagjinojmë sikur ne mos të kishim nevojë asnjëherë që të shkonim në shtrat? Ose të zbulonim se si të qëndronim përgjithmonë zgjuar?

Sa do të zgjaste kjo situatë? A do të ishim ne aq produktivë pa rigjeneruar fuqitë tona çdo natë? Kur do të fillonin miqtë tanë duke na thënë: ke nevojë të pushosh? Dhe çfarë ekzaktësisht do t’i ndodhte trupit tonë?

“Gjumi është një nga elementët kryesorë të mirëqenies së personit sepse është ai që na bën të rimarrim të gjitha energjitë që kemi harxhuar. Pa të, ne mund të krijojmë problematika tepër të mëdha, nga fiziket te ato të shëndetit mendor”, shprehet Arjana Rreli, psikiatre.

Sa shpesh u janë dashur dhe disa orë të tjera për të përfunduar një projekt, të bëheshit gati për një takim, apo të shijonit ditën e pushimit? Pra, nëse hiqni gjumin nga rutina juaj e përditshme, do të kishit 24 orë në dispozicion në ditë për të bërë gjithçka që nuk kishit kohë më përpara. Çfarë keni për të humbur?

Fillimisht do të mendonit se pagjumësia do të rregullonte jetën tuaj duke pasur më shumë kohë në dispozicion. Fundja, ç’janë disa simptoma lodhjeje nëse do të thotë se nuk do të duhet të humbni kurrë më kohë të shtrirë në shtrat pa ndonjë arsye të mirë? Apo ka ndonjë arsye të mirë se pse flemë?

“Stresi, por edhe probleme të tjera shëndetësore, të cilat ndikojnë në procesin e gjumit. Janë medikamentet që ne mund t’i marrim që kanë efekt anësor pagjumësinë, por edhe problemet e lidhura me shëndetin mendor”, thotë psikiatria.

Rezulton, se ka shumë arsye të mira për të fjetur. Njeriu mesatar kalon një të tretën e jetës së tij, i shtrirë në shtrat, me sytë mbyllur, duke gërhitur. Tingëllon si një humbje kohe e vlefshme. Por jo për trupin tuaj.

Ndërsa flini, trupi juaj lëshon hormone dhe riparon indet, duke zëvendësuar qelizat tuaja të vjetra me ato të reja.

Nëse keni qenë në palestër atë ditë, keni nevojë për një gjumë të mirë për t’i lënë muskujt tuaj të rriten dhe yndyrën të digjet. Atëherë, çfarë ndodh nëse nuk flini? S’ka shumë ndryshim në fillim. Pas vetëm 24 orësh do të ndjeheshit plotësisht mirë. Në fakt, ju do të ndjeheni shumë më mirë sesa thjeshtë “mire”. Kjo për shkak se pagjumësia stimulon rrugën mesolimbike në trurin tuaj.

Kjo rrugë do të lëshonte dopaminën dhe ju do të ndjeheni të lumtur dhe plot energji. Por mos u mashtroni nga e gjithë ajo lumturi, nuk do të zgjasë shumë. Shumë shpejt pasi të keni arritur harkun kohor të 24 orëve, të gjitha reagimet tuaja do të ngadalësoheshin. Truri juaj do të fillonte të harronte atë që po bënit.

“Nëse këtë bateri nuk e karikojmë me gjumë, gjëja e parë që ndodh janë të gjitha proceset tona nuk zhvillohen në normalitetin e vet. Shpërqendrimi, memoria, na çojnë drejt një paralizimi edhe të aktivitetit tonë mendor. Nga ana tjetër, ndikon edhe fizikisht, pasi bie imuniteti dhe ne jemi të ekspozuar ndaj sulmeve që trupit i bëhen nga bakteret dhe viruset”, thotë Arjana Rreli.

Por ndërkohë, truri juaj po “shpërthen” nga aktiviteti. Ekzistojnë faza të ndryshme të gjumit, ku kryhen lloje të ndryshme të mirëmbajtjes mendore. Në disa faza të gjumit, ju jeni duke rigjeneruar neuronet brenda korteksit cerebral, ndërsa në faza të tjera jeni të zënë me formimin e kujtimeve të reja dhe krijimin e lidhjeve të reja sinaptike.

Por çfarë tjetër do të ndodhte? Gjykimi juaj do të ndikohej, kujtesa do të dëmtohej, vendimmarrja do të ishte e ngadaltë dhe më pak efektive dhe koordinimi dorë-sy do të ishte plotësisht i gabuar.

Ju do të bëheshit më shumë emocional, shqisat tuaja do të dëmtoheshin dhe përqëndrimi juaj do të ishte shumë i dobët. Thënë ndryshe do të dukeshit si i dehur. Dhe nuk do ishit nga ata që i zë pija me të qeshur.

Në fakt, dëmtimi i vetëdijes suaj do të ishte pothuajse i njëjtë me dikë që ka një nivel prej 0,10 përqind të alkoolit në gjak. Por ç’domethënë kjo? Epo, është e paligjshme të drejtosh makinën në shumicën e vendeve të botës me atë sasi alkooli në sistemin tuaj, pra e kuptuat sa serioze do të ishte situata?

Kjo sjellje si i dehur buron nga lëvorja juaj cerebrale duke mos vepruar ashtu siç duhet sepse ka kaluar një ditë pa gjumë.

Tani të imagjinojmë se kanë kaluar dy ditë pa gjumë. Në këtë pikë, trupi juaj do të fillonte të keq-funksiononte. Do të ndalonte metabolizimin e duhur të glukozës, duke ju lënë pa furnizim energjie. Do të fillonit të dukeshit shumë të zbehtë, si një personazh në filma bardh e zi. Sytë tuaj do të ishin të kuq, dhe pastaj më shumë lajme të këqija, rrudhat tuaja do të bëhen më të dukshme. Pra mungesa e gjumit nuk do t’iu bënte të dukeshit të bukur.

“Personat që kanë problematikat e gjumit, e para duhet të gjejnë brenda tyre shkaqet. Zgjidhja vjen nga një jetë e shëndetshme. Nëse kemi një regjim të përditshëm, kjo ndikon edhe procesin normal të gjumit”.

Pa e kuptuar, keni arritur në ditën e tretë pa dremitur. Këtu fillojnë dhe gjërat e jashtëzakonshme: haluçinacionet.

Të uritur nga mungesa e gjumit, truri juaj do të sillte në jetë të gjitha ëndrrat tuaja – dhe mankthet. Pavarësisht se këto haluçinacione do të ishin kryesisht të padëmshme, në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar, do të rezultonin shumë të rrezikshme.

Pas 72-orëve, trupi juaj do të kishte shumë probleme. Jeni goxha të uritur deri tani dhe mbani mend se nuk do të ishit në gjendje të metabolizonit glukozën? Gjejeni pak se cili organ i rëndësishëm në trupin tuaj ka vërtet nevojë për glukozë për të funksionuar? Dhe ai është, truri juaj. Pra, vetëm për ta mbajtur veten në funksion, truri juaj do të bëjë që trupi të fillojë të hajë veten nga brenda dhe jashtë. Duke filluar nga muskujt tuaj, që keni punuar aq shumë në palestër për t’i formuar.

Trupi juaj do të vazhdonte të përdorte të gjitha ato burime energjie që do të gjente: mbetje të glukozës, muskujt tuaj, yndyrat dhe indet.

Ndërsa pas dy javëve, sistemi juaj imunitar do të ishte aq I dobët, saqë mund të vdisnit nga një grip i zakonshëm. Por pas 3 javëve pa gjumë, me siguri që do të humbisnit jetën nga një atak kardiak.

“Që njeriu të mos të arrijë në një pikë që nuk fle kurrë, kjo do të çonte në pikëpyetje shumë të mëdha të ekzistencës së tij. Pra, deri në vdekje”, thotë psikiatria.

Por nëse do të kishit pak më tepër muskuj në trupin tuaj, do të qëndronit gjallë dhe pak më gjatë, por asnjëri mos ta provojë këtë në shtëpi gjithsesi. “Të flesh apo mos të flesh”, kjo është dilema shekspiriane. Por ne themi se duhet të përqafoni fort jastëkun tuaj dhe të bëni një gjumë shumë të thellë. Duket sikur jeni gjithmonë të lodhur, epo sigurohuni që të flini nga 6 deri në 8 orë çdo natë, sa rekomandohet rregullisht.