Sekuestrohen 80 mijë paketa me cigare kontrabandë

paketa me cigare kontrabande 1100x620

Një sasi prej 80 mijë paketash me cigare janë sekuestruar nga strukturat e Doganës në Pikën e kalimit Kufitar të Hanit të Hotit.

“Pas një analize risku dhe dyshimeve të arsyeshme, mbi të dhënat e dokumentacionit shoqërues të një ngarkese, strukturat doganore ushtruan  kontroll në mjetin e dyshuar, ku rezultoi një ngarkesë prej 80 mijë paketa me cigare. E gjithë ngarkesa me cigare ishte e papajisur me pulle fiskale të Shqipërisë apo të ndonjë vendi tjetër”, thuhet në njoftimin e doganës.

Ndërkohë, rasti u referua në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale,  “Kontrabandë me mallra që paguajnë akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “ falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.