Basha mbështet Metën: Duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës

‘’Vendi është në krizë të thellë kushtetuese dhe ekonomike’’. Ky është boshti akuzues që i bashkon Ilir Metën dhe Lulzim Bashën kundër Edi Ramës. Nën këtë argument kryetari i opozitës i dha fund dilemës, duke konfirmuar se mbështet thirrjen e presidentit për atë që Ilir Meta e quan ‘’Besëlidhja e 2 marsit kundër grushtit të shtetit’’.

E megjithatë togfjalëshi i fundit nuk gjendet në fjalorin e tekstit të postuar në FB nga Lulzim Basha.  ‘’Kapja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë asgjësim i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”.

Basha thotë se opozita është e qartë se Kushtetutës i ka mbetur vetëm kapaku, por ai thekson se Shqipëria hyn në rrugën e duhur përmes një zgjidhjeje politike.

“Për të zgjidhur krizën ku është futur vendi, për t’u kthyer qeverisjen shqiptarëve, për t’u kthyer bashkitë shqiptarëve, për t’u kthyer ekonominë shqiptarëve, për të garantuar drejtësinë e pavarur nga politika, ka një zgjidhje demokratike: përfundimi në kohë i reformës zgjedhore dhe menjëherë mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme!”, deklaron Basha në postimin e tij.

 Kryedemokrati u kujdes të theksonte me germa të mëdha se i qëndron angazhimit për reformën zgjedhore, zotim që e ka dhënë në vjeshtë në përgjigje të kushteve të Bundestagut gjerman ndaj Shqipërisë.

 Në 9 kushte, ai i reformës zgjedhore përfshin dhe opozitën që dogji mandatet e deputetëve një vit më parë dhe bojkotoi zgjedhjet vendore.