Viktimat e shënuara në Italinë fqinje kanë rritur shqetësimin e rrezikut të përhapjes së koronavirusit edhe në Shqipëri. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino, përmes komunikimit me gazetarët, tentoi më së pari të qetësonte qytetarët.
“Nuk kemi asnjë rast të dyshuar apo të konfirmuar me koronavirus në Shqipëri”, tha Bino.
Çfarë duhet bërë për të parandaluar infektimin, porosit mjekja, është rritja e higjienës personale: “Të jemi vigjilentë dhe të kujdesshëm për veten dhe të afërmit tanë. Ky virus nuk luftohet vetëm nga strukturat qeveritare, por edhe duke u përkujdesur për veten. Mos të pështyjmë kudo”.
Bino konfirmoi se një spital në kryeqytet është përgatitur për të mbajtur në karantinë personat të cilët mund të identifikohen me koronavirus. Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP nuk tregoi vendndodhjen e spitalit për të mos përhapur panik, por shtoi se veç tij janë përzgjedhur edhe struktura të tjera që plotësojnë kushtet për karantinë.
Bino pranoi se Shqipëria nuk e ka pajisjen për matjen e temperaturës në aeroport, por i kërkoi çdo qytari që kthehet nga vende të prekura të raportojë çdo problem shendetësor duke shtuar gjithashtu se qeveria ka marrë masa të shtuara në pikat kufitare.
127 është numri i telefonit që duhet t’i drejtohet çdo person i cili dyshon se mund të jetë prekur nga koronavirusi.