Masa shtesë për koronavirusin, dyfishohet personeli mjekësor në pikat kufitare në vend

kufi koronavirus masa shtese 1100x620

Shtimi i rasteve të personave të prekur me koronavirus në Italinë fqinje ka vënë në lëvizje autoritetet shqiptare të shëndetësisë.

Që në mëngjesin e kësaj të diele, me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë është dyfishuar personeli mjekësor në të gjitha pikat kufitare të vendit, tokësore, detare dhe në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Personeli mjekësor është urdhëruar të kontrollojë të gjithë pasagjerët që futen në vendin tonë, veçanërisht ato që vijnë nga vende ku ka prani të koronavirusit.

Përveç termometrave digjitalë, në pikat kufitare janë përcaktuar edhe dhomat e përkohshme të izolimit të personave që mund të shfaqin shenja të prekjes me virusin e rrezikshëm.