Covid-19, Kakavija pa mjek, pikat e tjera kufitare dyfishojnë personelin mjekësor

Prej dy ditësh të gjitha pikat kufitare në vend kanë dyfishuar personelin mjekësor me qëllim parandalimin e përhapjes në vendin tonë të koronavirusit.

Megjithatë, çuditërisht, mëngjesin e kësaj të hëne, Dogana e Kakavijës rezultonte pa mjek. Siç shikohet edhe nga pamjet, në këtë pikë nuk ka asnjë kontroll mjekësor. Sakaq në pikat e tjera të kalimit kufitar në vend, personeli mjekësor është dyfishuar.

Në Kapshticë, Qafë Thanë, Morinë, Muriqan, Porti i Durrësit, ai i Vlorës, prej dy ditësh kanë shtuar kontrollet me stafet mjekësore, kryesisht ndaj personave që vijnë apo kanë kaluar tranzit në vende ku tashmë janë konstatuar raste të prekjes me koronavirusin.

Krahas stafeve mjekësore, në pikat kufitare janë përcaktuar edhe dhomat ku do të mbahen personat e dyshuar, deri në transportimin e tyre drejt qendrave të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Deri me tani në asnjë nga pikat e kalimit kufitar në vend nuk janë konstatuar persona të dyshuar me koronavirus.