Itali, regjistrohet viktima e katërt nga koronavirusi

itali koronavirusi 1100x620

Rritet bilanci i viktimave të koronavirusit në Italinë fqinje. Një person i katërt ndërroi jetë në qytetin e Bergamos. Bëhet fjalë për një të moshuar të moshës 84-vjeçare. Kjo është viktima e tretë në Lombardi, rajoni që regjistron numrin më të madh të të prekurve që tashme i ka tejkaluar 150-tët.

Italia renditet e treta mes vatrave kryesore të virusit në botë, pas Kinës dhe Koresë së Jugut. Masat e ndërmarra nga autoritetet lokale, për të vënë nën kontroll epideminë, përfshijnë 50 mijë persona. Komunat në karantinë janë 11, ndërsa në Lombardi janë mbyllur shkollat dhe ndaluar tubime e aktivitete që parashikojnë grumbullime njerëzish, ndërsa zonat komerciale dhe argëtuese si klubet apo diskotekat do të ulin qepenat pas orës 18:00.

Qyteti kryesor i rajonit, Milano, duket i boshatisur, me trenat dhe autobusët që qëndrojnë në stacione. Gjithashtu në Veneto, Piemonte, Liguria dhe Emilia Romagna po merren masa të ngjashme në Lombardinë.

Postblloqe rrugore janë vendosur në hyrje të 10 qytezave të Lodinjanos, një prej vatrave kryesore të koronavirusit. Në rrugët që cojnë për në zonën e kuqe kanë nisur procedurat e filtrimit. Forcat e rendit paralajmërojnë automobilistët se nëse vendosin të hyjnë, nuk do të kenë më mundësinë të dalin.

Qytetarët janë përfshirë nga paniku dhe kanë mësyrë supermarketet, të cilat thuajse janë zbrazur. Në rrjetet sociale publikhen vazhdimisht imazhe nga ata që duan të blejnë ushqime, por që i gjejnë të boshatisura raftet, ashtu si në romanet apo filmat apokaliptikë.