Italia frikëson Europën, BE: Nevojitet reagim i koordinuar

EUROPA ALARMI OK frame 1146 1100x620

Shndërrimi i Italisë në vatrën kryesore të virusit në Europë ka alarmuar kontinentin e vjetër e veçanërisht vendet fqinje që po mendojnë mënyrat se si të mbrohen. Kjo pavarësisht thirrjeve se nuk ka vend për panik.

“BE ka besim të plotë tek autoritetet italiane dhe vendimet që po marrin. Nuk kavend për panik”, u shpreh Paolo Gentiloni, Komisioner për çështjet ekonomike në KE.

Ndërsa mbyllja e kufijve është ende një skenar drastik, Franca, Zvicra dhe Austria nuk përjashtojnë mundësinë e masave të forta në rast se situata do të përkeqësohet.

Rumania ka vendosur të mbajë në karantinë të detyruar prej 14 ditësh të gjithë ata që vijnë nga zonat e prekura në Lombardi dhe Veneto ose që kanë kaluar në këto komuna. Austria ndërkaq bllokoi lidhjet hekurudhore me Italinë për disa orë pas lajmit të dy rasteve të dyshuara në një tren.

Duke ju përgjigjur kërkesës së Marin Le Pen për mbyllje të kufijve, në Francë, ministri i Shëndetësisë, Oliver Veran tha se kjo nuk do të kishte asnjë kuptim pasi virusi nuk ndalet në kufi. Sipas tij edhe “Air France” vazhdon të operojë normalisht fluturimet nga Italia.

Ndërkaq, Bashkimi Europian bën thirrje që shtetet anëtare të koordinojnë masat ndaj përhapjes së epidemisë. Komisionerja europiane për Shëndësinë, Sella Kyriakides pohoi se një mision i Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të shkojë në Itali të martën.

Komisioneri për menaxhimin e krizave në BE, Janez Lenarcic tha se unioni do të akordojë mbi 230 milionë euro për të ndihmuar në luftën globale kundër koronavirusit.