Lamtumira e fundit për Kobe dhe Gigi Bryant, ceremoni madhështore në Staples Center – A2

Lamtumira e fundit për Kobe dhe Gigi Bryant, ceremoni madhështore në Staples Center

Në Staples Center të Los Angeles, bota e sportit i ka dhënë lamtumirën e fundit Kobe Bryant dhe vajzës së tij, Gigi.

Në mes të 20,000 personave të pranishëm, ku kishte edhe shumë legjenda të Los Angeles Lakers, si ish-trajneri Phil Jackson, apo edhe ish-lojtarë si, Jerry West, Elgin Baylor, Kareem Abdul-Jabbar, Shaquille O’Neal, Byron Scott dhe AC Green.

Bashkëshortja e Kobe Bryant, Vanessa, falenderoi të pranishmit dhe tha: “Kobe më thonte gjithmonë se Gigi më ka ngjarë mua, ka personalitet dhe sarkazëm. Kam qenë shoqja e tij më e mirë, e dashura e tij e parë, gruaja e tij, dashuria e tij e madhe. Në mesazhin e fundit që më dërgoi përpara se të vdiste, më tha që donte të kalonim disa kohë bashkë, pa vajzat. Nuk ia arritëm dot”.

Mes lotësh, Michael Jordan tregoi përpara të pranishmëve se çfarë ishte Kobe Bryant për të.

“Çfarë ishte Kobe Bryant për mua? Ishte një frymëzim që dikush kujdesej me të vërtetë për mënyrën se si luaja unë ose se si donte të luante ai. Ai donte që të bëhej lojtari më i mirë i basketbollit. Ndërsa unë do të isha vëllai i madh më i mirë. Ne bisedonim rreth gjithçkaje dhe ai gjatë gjithë kohës përpiqej të ishte një njeri më i mirë. Tani shikon se çfarë më bëri. Duhet të duroj dhe një meme me lot për një kohë të gjatë”, tha Jordan.

Beyonce performoi në Staples Center, duke thënë që ishte aty, sepse e donte Kobe Bryant.

Në fund, Vanessa kishte një tjetër mesazh për ish-bashkëshortin e saj: “Kobe, kujdesu ti për Gigin. Unë do të kujdesem për vajzat e tjera. Do të rishihemi në Parajsë, të gjithë bashkë”.