Qyteza “fantazmë”, aty ku u konfirmua i prekuri i parë nga koronavirusi në Itali

Kodonjo (Codogno), një qytezë e vogël në Lombardi, ku edhe u konfirmua rasti i parë i një personi të infektuar me koronavirus në Itali, është shndërruar në një qytet “fantazmë”. Rrugët janë boshatisur dhe është e vështirë të gjesh makina apo njerëz që kalojnë aty.

Rreth 12 qyteza në Lombardi dhe Veneto, ku në total banojnë rreth 50 mijë persona, janë vendosur nën karantinë dhe autoritetet lokale kanë këshilluar njerëzit të qëndrojnë nëpër shtëpi. Në disa zona të caktuara duhet leje e veçantë për të hyrë apo për të dalë.

Italia është shteti evropian me përhapjen më të shpejtë të koronavirusit Covic-19, ku deri më tani, 6 persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i të prekurve është rreth 300.