Rritet numri i viktimave nga koronavirusi në Itali

Koronavirusi ne Itali 1100x620

Janë 6 personat që kanë humbur jetën në Itali nga koronavirusi. Autoritetet lokale sqaruan se një prej personave që raportohej i vdekur në Breshia nga mediat italiane, në fakt nuk kishte ndërruar jetë.

Viktima e gjashtë, është në fakt një 80-vjeçar i cili vdiq në spitalin “Sacco” në Milano. Sikurse ka ndodhur shpesh me viktimat nga Covid-19, i moshuari ishte operuar ditë më parë për një infarkt.

Ndërkohë, numri i të prekurve nga koronavirusi në Italinë fqinje ka shkuar mbi 230. Janë 11 rajone të izoluara, shkollat janë mbyllur dhe postblloqe filtrojnë kalimet në zonën e kuqe.

Italia renditet e treta mes vatrave kryesore të virusit në botë, pas Kinës dhe Koresë së Jugut. Deri tani janë regjistruar më shumë se 200 raste të prekurish.

Masat e ndërmarra nga autoritetet lokale, për të vënë nën kontroll epideminë, përfshijnë 50 mijë persona. Komunat në karantinë janë 11, ndërsa në Lombardi janë mbyllur shkollat dhe ndaluar tubime e aktivitete që parashikojnë grumbullime njerëzish, ndërsa zonat komerciale dhe argëtuese si klubet apo diskotekat do të ulin qepenat pas orës 18:00.

Qyteti kryesor i rajonit, Milano, duket i boshatisur, me trenat dhe autobusët që qëndrojnë në stacione. Gjithashtu në Veneto, Piemonte, Liguria dhe Emilia Romagna po merren masa të ngjashme në Lombardinë.

Postblloqe rrugore janë vendosur në hyrje të 10 qytezave të Lodinjanos, një prej vatrave kryesore të koronavirusit. Në rrugët që çojnë për në zonën e kuqe kanë nisur procedurat e filtrimit. Forcat e rendit paralajmërojnë automobilistët se nëse vendosin të hyjnë, nuk do të kenë më mundësinë të dalin.

Qytetarët janë përfshirë nga paniku dhe kanë mësyrë supermarketet, të cilat thuajse janë zbrazur. Në rrjetet sociale publikohen vazhdimisht imazhe nga ata që duan të blejnë ushqime, por që i gjejnë të boshatisura raftet, ashtu si në romanet apo filmat apokaliptikë.