Bayern thuajse i kualifikuar, Chelsea dorëzohet para dyshes Gnabry-Lewandowski

Bayern Munchen është thuajse i kualifikuar për në çerekfinalet e Champions League, pas fitores 3-0 në Londër kundër Chelsea-t.

Dy gola nga Serge Gnabry dhe një tjetër gol nga Robert Lewandowski, të tre në pjesën e dytë, vulosën fitoren për gjermanët, të cilët kthehen të qetë në shtëpi, ku do të luhet pas dy javësh ndeshja e kthimit.

Heroi i mbrëmjes ishte pa dyshim Serge Gnabry, i cili pas një pjese të parë të vakët, u “ngjall” në të dytën dhe me dy gola në tre minuta (51’ dhe 54’), hapi rrugën e fitores. Sulmuesi i kombëtares gjermane ka shënuar deri më tani 6 gola, në Champions League dhe është i pari në historinë e garës, që të gjithë golat i ka realizuar kundër skuadrave të të njëjtit shtet (4 kundër Tottenham në fazën e grupeve dhe 2 kundër Chelsea).

Në të 76’, pas një shpërthimi nga e majta, Davies pasoi saktë për Lewandowski-n dhe polaku realizoi golin e tretë për Bayern, të 11-tin personal këtë sezon në Champions, duke kryesuar edhe renditjen e golashënuesve.

Për të përkeqësuar edhe më shumë gjërat për “blutë” e drejtuar nga Frank Lampard, Marcos Alonso u ndëshkua me karton të kuq në të 83’ pas një goditje në fytyrë ndaj Lewandowski-t.