“Numri 127 për ndihmë”, shtohen telefonatat në Urgjencën Kombëtare

Kreu i emergjences kombetare Skender Brataj 127 koronavirusi  1100x620

Pas shqetësimit të krijuar lidhur me rrezikun e përhapjes se koronavirusit, janë shtuar rastet e telefonatave në Urgjencën Kombëtare.

Numri 127, i vënë në dispozicion për qytetarët, në dy ditët e fundit ka njohur fluks telefonatash. Kreu i Emergjencës Kombëtare, Skënder Brataj, sqaron situatën dhe rastet kur duhet t’i drejtohemi Urgjencës Kombëtare për ndihmë.

“Në dy ditët e fundit ka pasur një rritje të numrit të kërkesave për ndihmë. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e thirrjeve nga institucionet, por edhe media, që të telefonohet numri 127, nëse dikush do të ketë simptoma. Kjo kuptohet me panikun e përhapur në mënyrë të padrejtë.

Ky është një infeksion nga koronavirusi, i cili ka pothuajse të njejtat shifra me gripin e zakonshëm sezonal, ka të njëjtat shenja dhe simptoma, por izolimi është që të mos infektohen të tjerët. Prandaj, ne duhet t’i identifikojmë sa më shpejt këto raste, të marrim masa parandaluese dhe trajtimin e sëmundjes”, u shpreh Brataj për A2.