Task Forca për koronavirusin: Asnjë rast i konfirmuar në Shqipëri

SINK TASK FORCE frame 901 1100x620

Në Shqipëri vazhdon të mos ketë asnjë rast të konfirmuar me koronavirus. Konfirmimin e dha paraditen e sotme Ministria e Shëndetësisë, ku funksionon Task Forca e ngritur për ndjekjen e situatës. 

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike, Eugena Tomini shpjegoi që në 24 orët e fundit janë vlerësuar 4700 udhëtarë dhe ju bëri thirrje qytetarëve të cilët shfaqin simptoma të kësaj sëmundje të njoftojnë në numrin 127 të Urgjencës.

“Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar me Covid-19. Deri në mbrëmjen e djeshme janë testuar 8 raste të dyshuara, që kanë rezultuar negativë. Theksojmë se, analizat për këtë virus kryhen vetëm nga laboratori i certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në 24 orët e fundit në të gjitha pikat kufitare janë vlerësuar 4700 udhëtarë nga vendet e prekura me infeksion komunitar. Rekomandojmë edhe njëherë për personat që kanë pasur historik udhëtimi në vendet me transmetim komunitar dhe që kanë shfaqur shenjat e infeksionit viral të njoftojnë numrin 127 të Urgjencës Kombëtare Mjekësore”, deklaroi Tomini.