Koronavirusi, për herë të parë më shumë raste të reja jashtë Kinës sesa brenda saj

koronavirusi Kina 1100x620

Për herë të parë që nga pikasja e tij, më shumë raste të reja në një ditë për persona të infektuar me koronavirus janë diagnostikuar jashtë Kinës, sesa brenda saj. Lajmin e konfirmoi Organizata Botërore e Shëndetësisë, bazuar në raportimet e Kinës.

Shteti aziatik, vendi i shfaqjes për herë të parë të koronavirusit Covid-19, raportoi të mërkurën, 412 raste të reja personash të infektuar, ndërsa në të gjithë botën u raportuan 459 të tillë . Pjesa më e madhe e rasteve brenda Kinës, vijnë nga provinca Hubei, ndërsa brenda “llogarive” kineze u futën edhe 4 rastet e Hong Kongut. Ndërkohë, më shumë se gjysma e rasteve jashtë Kinës janë diagnostikuar në Korenë e Jugut, ku pati 284 raste të reja.

Numri më i madh i të infektuarve pas Koresë së Jugut është në Itali, mbi 400 raste, në një kohë kur, koronavirusi është përhapur në të gjashtë kontinentet. Sekretari i Shëndetësisë, Alex Azar, tha se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në total 60 raste me persona të infektuar, 15 prej të cilëve kanë lidhje me udhëtime apo kontakte me persona që kanë udhëtuar drejt shtetit amerikan.

Pjesa tjetër përfshin 3 shtetas amerikanë të riatdhesuar nga Wuhani, epiqendra e koronavirusit, si dhe 42 raste të personave të evakuar nga anija turistike “Diamond Princess” në Japoni.