Koronavirusi, Tritan Shehu: Qeveria shqiptare është e vonuar 40 ditë për dhënien e alarmit – A2

Koronavirusi, Tritan Shehu: Qeveria shqiptare është e vonuar 40 ditë për dhënien e alarmit

Tritan Shehu, nga PD, ish-ministri i Shëndetësisë, u shpreh në A2 se Shqipëria është e vonuar në marrjen e masave për përballimin e koronavirusit.

Ai thekson se qeveria shqiptare ka zgjedhur strategjinë e dështimit të shtetit.

“Nuk ka strategji të qartë. Ka një mungesë të thellë transparence. Ne jemi përpara mundësisë së madhe që virusi të hyjë edhe në vendin tonë. Është një epidemi që po shpërndahet dhe siç thotë OBSH-ja, po shkojmë drejt pandemisë. Në këtë situatë, ne jemi të detyruar të përgatitemi dhe jo thjesht të bëjmë show televiziv. Duhet të kemi parasysh dy elemente të rëndësishme. Së pari, pasi virusi të hyjë në Shqipëri, ne duhet të minimizojmë përhapjen e tij në terren. Së dyti, duhet të luftojmë komplikacionet që krijon, gjë e cila nuk është e lehtë dhe kërkon njerëz të kualifikuar. Nëse e shohim në këtë drejtim, unë mendoj se përgatitjet tona lënë shumë për të dëshiruar. Kjo situatë tregon kolapsin e shtetit.

Qeveria shqiptare është e vonuar 40 ditë për dhënien e alarmit dhe përgatitjet. Alarmi është dhënë që prej 15 janarit. Unë e kam ngritur që herët këtë shqetësim dhe kam thënë qartësisht: Pavarësisht se Virusi është ende në Kinë, ne jemi të rrezikuar njësoj si të gjitha vendet e tjera të botës. Ne nuk jemi fare me risk të ulët. Nuk u dha alarmi, nuk u bënë përgatitjet, nuk u dislokuan fondet e emergjencës për këtë situatë. Vetëm një ditë më parë janë dislokuar 1 mln dollarë për masat mbrojtëse të personelit. Kjo është krejtësisht e pamjaftueshme. Spitalet tona nuk kanë as maska. Nuk ka karantinë edhe pse nuk është zgjidhja e vetme.

Këta kanë zgjedhur strategjinë e dështimit të shtetit. Këta bazohen në vetëkarantinimin e të sëmurit apo e atij që dyshohet si i prekur. E dyta, këta kanë shpërnda një teori, e cila është mjaft alarmante. Rastet që do të jenë të verifikuar të prekur nga ky virus, por nuk kanë simptoma të rënda, do të trajtohen në shtëpinë e tyre. Në këtë mënyrë, ata bëhen një burim infeksioni”, u shpreh Shehu.

PD i bashkohet Presidentit në 2 mars

Shehu tha se ajo që po ndodh me koronavirusin është një arsye më shumë për të protestuar në 2 mars. “Sepse në Shqipëri është shkelur edhe një parim tjetër kushtetues, e drejta e qytetarit për shërbim të përshtatshëm shëndetësor. Pra kemi jo vetëm shkeljet me Gjykatën e Kushtetuese dhe të Lartë, me ligje që bien ndesh me të drejtat e njeriut, cenohet liria e medias, por kemi edhe një shkelje të Kushtetutës për shërbimin e duhur mjekësor”, tha ai.

“Kjo është një arsye më shumë për të protestuar dhe për t’iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së Presidentit për protestën në 2 mars. Jo për të mbrojtur karrigen apo interesat e kurrkujt, por në mbrojtje të Kushtetutës”.