Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Teatri Kombëtar, Budina: Lëvizje politike, do të vazhdojmë protestën

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2020, 16:54 | Aktualitet
Teatri Kombëtar, Budina: Lëvizje politike, do të vazhdojmë

Regjisori Robert Budina, një prej kryesuesve të Aleancës për Teatrin, që ka protestuar prej muajsh tashmë kundër shembjes së godinës së teatrit, komentoi njoftimin e Bashkisë Tiranë, ku thuhet se kompania private që do të ndërtonte Teatrin e ri Kombëtar është tërhequr dhe godina e re do të ndërtohet nga buxheti i shtetit.

Ai tha se askush, prej grupit të artistëve, pjesë të Aleancës për Teatrin, nuk ka qenë i pranishëm në takimin e organizuar nga Bashkia

“Bashkia e Tiranës nuk ka punë këtu, pasi kjo zonë i përket Ministrisë së Kulturës. Nëse e ka për një teatër tjetër, faleminderit shumë zoti Kryetar, ju jam mirënjohës. Nëse e bëni këtë tregoni që e doni artin. Ne kemi tjetër punë këtu. Ne po mbrojmë trashëgiminë kulturore. Po mbrojnë teatrin nga shembja”, tha Budina.

“Kjo është një lëvizje politike e Bashkisë dhe Qeverisë, pas një proteste prej dy vitesh, që tregoi se nuk ishte thjeshtë një lëvizje për të mbrojtur ca mure, arriti të sensibilizonte opozitën, presidentin dhe faktorin ndërkombëtar. Prodhoi dokumente pa fund, nxiti që të kthehej ligji special. Nuk mund të shkonin më përpara, ndryshe do të përplaseshin me ne. E kuptuan këtë presion dhe po përpiqen të tërhiqen. “Europa Nostra” do të ndikonte në Bashkimin Evropian që Qeveria të tërhiqej”.

https://a2news.com/2020/02/26/terhiqet-kompania-private-bashkia-tirane-teatri-i-ri-kombetar-do-te-ndertohet-nga-shteti-si-investim-publik/

Budina tha se Aleanca për Teatrin do të vazhdojë protestën dhe bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare. “Pritet që së shpejti përfaqësues të lartë të “Europa Nostra” të vijnë në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë protestën tonë. Në mars do të shpallet zyrtarisht që Teatri Kombëtar është një momument evropian i rrezikuar dhe për këtë do të marrë mbështetjen e Bankës Europiane të Investimeve, për të siguruar fonde. Dhe duke qenë se kjo mbështetje e këtyre organizatave u krijua me kërkesën tonë, këta njerëz nuk kanë moral politik ta kthejnë investimin e protestës sonë në favor të tyre”, tha Budina.

“Nuk kanë thënë që do të restaurohet, nuk kanë thënë nëse e kanë fjalën për këtë teatër, apo një teatër tjetër. Duhet të shohim legjislacionin dhe nëse do të ketë bashkëpunim të "Europa Nostra", duhet ta ketë me këtë lëvizje që është garancia që teatri do të restaurohet”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë