Autoritetet italiane: 50% e të prekurve me Covid-19 nuk kanë nevojë të shtrohen në spital – A2

Autoritetet italiane: 50% e të prekurve me Covid-19 nuk kanë nevojë të shtrohen në spital

ITALIA SITUATA 27 frame 134 1100x620

Mbi 400 persona të prekur dhe 12 të vdekur është bilanci i koronavirusit në 10 rajone të Italisë, sipas të dhënave të përditësuar të Mbrojtjes Civile.

Vatrat kryesore vazhdojnë të mbeten rajonet e Lombardisë dhe Venetos, ku janë shënuar respektivisht 305 dhe 71 raste. Marche dhe Puglia janë 2 rajonet e fundit që raportuan raste me koronavirus. Mes të prekurve janë edhe 7 fëmijë.

Nga informacionet që vijnë nga vendi fqinjë ka edhe lajme pozitive, si ai i shërimit të çiftit të turistëve kinezë, që ishin edhe të parët që rezultuan pozitiv ndaj Covid-19 në Itali. Ndërkaq një grua në Piacenza, e prekur nga virusi solli në jetë një fëmijë të shëndetshëm.

Një ekip ekspertësh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Europiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, përfunduan një inspektim dy ditor në Itali.

Në një konferencë për shtyp u tha se koordinime mes rajoneve është jetësor, ndërsa shtete të tjera europiane mund ta gjejnë veten shumë shpejt në të njëjtën situatë me Italinë.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se shumica e rasteve të konfirmuara në Itali janë pacientë me simptoma të lehta dhe 50 për qind e tyre nuk kanë pasur nevojë të shtrohen në spital.