Ndryshimet e Kodit Rrugor, Lleshaj: Aksidentet, vrasësit kryesorë pas sëmundjeve të rënda – A2

Ndryshimet e Kodit Rrugor, Lleshaj: Aksidentet, vrasësit kryesorë pas sëmundjeve të rënda

Vrasësi më i rrezikshëm i njerëzve mes moshës 5 deri 29 vjeç janë aksidentet në rrugë e ndonëse në Shqipëri ka pasur ulje të ndjeshme, aksidentet marrin më shumë jetë se sa krimi.

Për këtë, në konferencën e nivelit të lartë mbi sigurinë rrugore, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha se ka ardhur momenti që në Shqipëri të ketë ndjeshmëri për ngjarjet rrugore.

“Aksidentet në rrugë janë një vrasës i heshtur dhe pasojat e tyre kalojnë pa u vënë re shumë. Rënia e një avioni të madh me pasagjerë është një ngjarje shumë e rrallë dhe nëse fatkeqësisht ndodh, merr vëmendjen e gjithë botës, ndërkohë që aksidentet në rrugë vrasin pa rënë shumë në sy”, tha Lleshaj.

Ndryshimet e Kodit Rrugor, sipas ministrit janë të detyrueshme.

“Përgjegjshmëria në qarkullim, shpejtësia normale, drejtimi i mjetit jashtë ndikimit të alkoolit, drogës apo substancave të tjera psikotrope, mos përdorimi i pajisjeve shpërqendruese si telefonat dhe mjete e tjera mobile, vendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i ulëseve të posaçme për fëmijët, përdorimi i helmetës etj., janë elementë të faktorit human me rëndësi thelbësore në sigurinë rrugore”, shtoi ministri.

Në vitin 2019 Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente. Ndonëse shifrat janë në rënie sërish rrugët e vendit marrin me qindra jetë çdo vit.