Paditë e presidentit/ SPAK bashkon çështjet, reagon Gjonaj

Prokuroria e Posaçme ka vendosur të mbledh në një procedim dy paditë e Presidentit Ilir Meta përkundrejt kreut të KED-së, Ardian Dvorani dhe ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Burime nga grupi i hetimit thanë për A2 se duke qenë se objekti i hetimit është i njëjtë, dy kallëzimet e presidentit Meta do të hetohen nga një prokuror në një çështje të vetme.

Dy ditë pas kallëzimit penal në SPAK, ministrja e drejtësisë i përgjigjet akuzave të Metës, duke i cilësuar si lajthitje ligjore: “Akuza se unë si ministre drejtësie kam kryer shkelje penale, është thjesht kulmimi i “show”-t presidencial. Një komik mjaft komik do të thoja po të mos bëhej fjalë për presidentin e Republikës”.

Ndërkohë, ministrja Gjonaj nuk shpjegoi arsyet se përse priti kaq ditë për t’iu përgjigjur me zë dhe figurë akuzave të presidentit për komplot kushtetues dhe grusht shteti: “Kur botimi në Fletoren Zyrtare nuk ka sjellë as rrëmbimin e kompetencave të presidentit për gjyqtaren kushtetuese dhe as pasojën për sa kohë ka të bëjë vetëm me njohjen e këtij vendimi për të gjithë publikun. E vetmja pasojë është dalja e presidentit jashtë kornizës ligjore dhe përgjegjësive të tij kushtetuese”.

Deri më tani, përplasja president-qeveri ka qenë në nivel politik, me akuza dhe kundërakuza. Vetëm në momentin kur prokurorët e SPAK-ut do të nisin veprimet e para për të provuar krimin e korrupsionit në nivelet e larta të zyrtarëve, do të themi se përplasja institucionale është edhe një çështje ligjore.