Prerja e gështenjave në Pogradec, ngrihet Task Forcë për mbrojtjen e pyjeve – A2

Prerja e gështenjave në Pogradec, ngrihet Task Forcë për mbrojtjen e pyjeve

Është ngritur Task Forca për mbrojtjen e gështenjave në pyjet e Pogradecit, të cilat përgjatë viteve të fundit, po priten në mënyrë masive nga banorët që jetojnë pranë zonave të tyre.

Pak ditë më parë, A2 ngriti alarmin e prerjes së tyre, pas konfirmimit edhe nga specialistë të zonave të mbrojtura dhe kryepleqtë e fshatrave.

Nën drejtimin e prefektit të Korçës, kryetarit të bashkisë Pogradec dhe drejtuesve të komisariatit të policisë, u ndanë detyrat respektive për inspektorët, specialistët dhe administratorët për sensibilizimin e banorëve edhe për masat që do të ndërmerren ndaj tyre, në rast se vijohet me prerjen e gështenjave.

Në Pogradec janë rreth 600 hektarë me gështenja, të cilat po rrezikohen seriozisht. Për shumicën e banorëve, ato janë një mënyrë për të siguruar të ardhura, por vitet e fundit, sëpata dhe motosharrat janë duke i dëmtuar seriozisht.