Rritet bilanci i viktimave nga koronavirusi në Itali, mbi 500 të prekur

Ka shkuar në 14 bilanci i viktimave në Itali nga koronavirusi, ndërsa më shumë se 500 persona janë konfirmuar të prekur, në 10 rajone, sipas të dhënave të përditësuara të Mbrojtjes Civile.

Nga informacionet që vijnë nga vendi fqinj ka edhe lajme pozitive, si ai i shërimit të çiftit të turistëve kinezë, që ishin edhe të parët që rezultuan pozitiv ndaj Covid-19 në Itali. Ndërkaq një grua në Piacenza, e prekur nga virusi solli në jetë një fëmijë të shëndetshëm.

Një ekip ekspertësh nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, përfunduan një inspektim dy ditor në Itali.

Në një konferencë për shtyp u tha se koordinimi mes rajoneve është jetësor, ndërsa shtete të tjera evropiane mund ta gjejnë veten shumë shpejt në të njëjtën situatë me Italinë.

Autoritetet italiane bëjnë me dije se shumica e rasteve të konfirmuara në Itali, janë pacientë me simptoma të lehta dhe 50 për qind e tyre nuk kanë pasur nevojë të shtrohen në spital.