Skenarët për koronavirusin: Karantina në Durrës, 800 mjekë e infermierë të trajnuar

E rrethuar nga koronavirusi dhe me asnjë rast të konfirmuar deri tani, Shqipëria publikon disa nga skenarët për përballimin e situatës nëse prekemi nga virusi i ri.  

Kryeministri Edi Rama zbuloi se dy spitalet kryesore në Tiranë si dhe Shtëpia e Pushimit e Ushtrisë në Durrës do të shërbejnë si vende karantinimi për të prekurit nga koronaviriusi.

Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë, kreu i qeverisë theksoi se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar, ndërsa bëri thirrje për qetësi. Kryeministri sqaroi se janë marrë masat nga strukturat e shëndetësisë për çdo situatë. 800 mjekë dhe infermierë janë trajnuar, ndërsa spitali infektiv është planifikuar i pari për pritjen e rasteve me koronavirus.

Kryeministri Edi Rama përsëriti se, sipas specialistëve dhe të dhënave të OBSH-së, 97% e të prekurve nga koronavirusi janë shëruar. Kreu i qeverisë sugjeori qytetarët të kufizojnë lëvizjet mes shteteve jo të dosmodoshme.

Deri tani, në Shqipëri janë testuar për koronavirus 17 persona, të cilët kanë dalë negativ. 

Mbi 14 mijë udhëtarë që kanë hyrë nga pikat kufitare i janë nënshtruar kontrolleve shëndetësore, ndërsa mbi 5000 thirrje në ditë kryhen në numrin e Urgjencës 127.