Arrestohet analisti dhe botuesi Henri Çili, akuzohet për ndikim të paligjshëm të gjyqtarëve

Henri Çili, botuesi dhe pronari i një universitetit privat në Tiranë, u arrestua së bashku me 11 persona të tjerë, mes tyre Adil Aliko, babain e Arbion dhe Albi Alikos, të dënuar për vrasjen e ish-efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në Lazarat.

Gjatë operacionit të policisë, në pranga ranë dhe biznesmeni Sait Fishta, drejtori Juridik i universitetit, Ilir Korbi dhe noterja Shpresa Gjoçaj. Nga hetimet e prokurorisë doli se Çili ka ushtruar ndikim tek një gjyqtar për të lehtësuar dënimin e vëllezërve Aliko, njëri prej të cilëve, Arbioni, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Në përgjime, babai tyre i kishte premtuar Çilit një hapësirë toke në Gjirokastër, por edhe shuma parash në këmbim të uljes së dënimit të dy djemve, dosje e cila pritet të gjykohet në Gjykatën e Lartë.

Emri i botuesit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare. Urdhër-arrestet u lëshuan nga Prokuroria e Përmetit pas një hetimi disamujor, i nisur në fund të vitit 2019.

Ndaj Henri Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe transaksione të dyshimta që pritet të jenë pjesë e një hetimi pasuror.

Nga operacioni i finalizuar në orët e para të mëngjesit janë shoqëruar më shumë se 40 persona të tjerë. Kontrolle janë ushtruar në disa banesa në qytetin e Gjirokastrës si dhe në ambientet e Universitetit.