Jahti me të cilin mund të eksploroni botën të rrethuar nga luksi dhe teknologjia e lartë – A2

Jahti me të cilin mund të eksploroni botën të rrethuar nga luksi dhe teknologjia e lartë

Një jaht i ri luksoz që pritet të ndërtohet së shpejti synon tregun e adhuruesve të lundrimit, por që kanë pasion edhe teknologjinë. Koncepti është ideuar nga Theodoros Fotiadis, një projektues jahtesh me seli në Berlin dhe pritet të prodhohet nga “SuperYachtMonaco”.

Përveç pamjes së veçantë të jashtme dhe rehatisë së një hoteli me 5 yje nga brenda, jahti do të ketë edhe një sërë veçantish teknologjike të fjalës së fundit.

Ai do të ndërtohet në dy modele, 91 dhe 115 metra i gjatë, dhe do të jetë i përshtatshëm për të udhëtuar në kushtet më ekstreme atmosferike, nga ishujt e Polinezisë e deri në Arktik.

Përveç një sistemi që lejon një panoramë 360 gradë, për të shijuar në maksimum udhëtimin, jahti do të jetë i pajisur edhe me një sistem që ofron internet të shpejtësisë së lartë edhe në cepin më të largët të globit.

Në zemër të jahtit është një çati xhami, nga e cila hyn drita natyrale. Siç është bërë zakon me mjetet moderne lundruese, jahti do të jetë me motor hibrid, me naftë dhe elektrik, do të ketë “vende parkimi” për varka të vogla ose nëndetëse, një bar, një palestër dhe Spa, pishinë, sallë ngrënie, zyrë private, një galeri arti, bibliotekë dhe një hangar për të “parkuar” helikopterin.

“Ky jaht do të të lejojë të eksplorosh botën dhe të përjetosh diçka unike sa herë që nis një udhëtim”, tha Theodoros.