Rritet numri i viktimave nga koronavirusi në Itali, 21 të vdekur, mbi 821 të infektuar

kinezet ne itali 1100x620

Ka shkuar në 21 numri i personave që kanë ndërruar jetë pasi janë prekur nga koronavirusi në Itali. Lajmi është bërë i ditur nga shefi i Mbrojtjes Civile, Angelo Borrelli, i cili konfirmoi edhe 821 persona të prekur deri tani.

Tre nga personat që kanë ndërruar jetë këtë të premte janë nga rajoni i Lombardisë, duke e çuar në 17 numrin e viktimave vetëm në këtë rajon, të gjithë të moshuar dhe me probleme të tjera shëndetësore.

Pavarësisht kësaj situate, Lombardia duket e vendosur të kthejë faqe, duke nisur nga një prej simboleve të rajonit, “Duomo” i Milanos, që do të hapet në mënyrë të kufizuar për turistët nga e hëna. Gjithashtu, tre rajone, Veneto, Lombardia dhe Friuli, po mendojnë për rihapjen graduale të shkollave nga 2 marsi.

Ndërsa Italia përpiqet të rifitojë ritmin normal të jetesës, rrethi i atyre që kufizojnë udhëtimet nga ky vend zgjerohet. Të enjten, ishte Izraeli ai që vendosi t’u mohojë hyrjen të gjithë udhëtarëve nga ky vend.

Mbi 60 pasagjerët, që vinin nga Italia në aeroportin “Ben Gurion”, në Tel Aviv, nuk u lejuan të hynin mbi bazën e masave të reja të njoftuara së fundmi nga ministria e brendshme.