Skadon afati i aplikimit, banorët e lagjes së braktisur në Kombinat presin rindërtimin

Ky bllok pallatesh në Kombinat ngjan si një lagje fantazmë, pasi banorët janë shpërndarë në zona të tjera. Në ditën e fundit kur skadonte edhe afati për aplikimi për rindërtimin, duket se banorët e kanë plotësuar dokumentacionin përkatës.

Kështu pohuan për A2 disa nga banorët e pakët që kishin mbetur aty. Këpucari që zhvillon prej 20 vitesh aktivitetin e tij në zonë, nuk ka lëvizur për asnjë moment, edhe pse pohon se njerëzit janë larguar prej aty.

Këto pallate u dëmtuan që në tërmetin e 21 shtatorit, ndërsa banorët asokohe kërkonin siguri për ndërtesat. Në tërmetin e madh të 26 nëntorit gjendja u rëndua së tepërmi. Ndërsa në ditët e sotme ata që nuk e kanë braktisur pallatin kërkojnë që ai të mos shembet.

E duket se kjo gjendje do të vijojë gjatë, pasi qeveria, në planin e rindërtimit, u ka dhënë prioritet ndërtimit të banesave të shembura në zonat rurale, ku banorët jetojnë në çadra, ndërsa ndërhyrja në zonat urbane është parashikuar për më vonë.