Thaçi: Kokëfortësia ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka cenuar raportet me SHBA-në

MB THACI DATA frame 267 1100x620

Me anë të një statusi në “Facebook”, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Prishtinë.

Thaçi shkruan se kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe vendimeve të mençura e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në.

“Kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet tona speciale me SHBA-në. Mbetja në fuqi e tarifës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Prandaj, nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takim me Sekretarin Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Nacionale, O’Brien.

Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në. Hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme është i panevojshëm, sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”, shkruan Thaçi në “Facebook”.

Kryeministri i ri Albin Kurti, dy ditë më parë kërkoi shkarkimin e Thaçit, i cili, sipas tij, në prill të vitit 2013, ka nënshkruar një marrëveshje sekrete në Bruksel që FSK-ja të mos hynte në Kosovën Veriore pa pëlqimin e KFOR-it. Ndërsa të enjten, Kurti bëri të ditur se më 15 mars do të hiqet tarifa për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.