75-vjetori i luftës më të përgjakshme në histori

Këtë javë në “Dëshmi” do të ndalemi në pamje, fjalime e pakte të rralla që i përkasin Luftës së Dytë Botërore, me rastin e 75-vjetorit të saj. Përqark Europës, Afrikës së Veriut dhe Paqësorit, thuajse 45 milionë vetë humbën jetën, edhe pse besohet se numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë, në thuajse 60 milionë, për 6 vjet që zgjati lufta, 6 vite brutalitet njerëzor, ndoshta më të përgjakshmet në histori. Konflikti nisi më herët se 19 shkurti, kur është dita e parë e Luftës së Dytë Botërore. Gjithçka nisi të premten e 1 shtatorit të vitit 1939, kur nazistët gjermanë sulmuan Poloninë.

Adolf Hitleri u betua më 2 shkurt të vitit 1933 si kancelar i Gjermanisë. Krenar qëndronte përpara trupave ushtarake, që e nderuan me një paradë madhështore, teksa ai i përshëndeste.

Përgjatë viteve të para të tij në krye të shtetit, Hitleri i pati të rralla takimet me liderët botërorë. Por, më 19 shtator 1938, ai  priti në vilën e tij në Berghof, kryeministrin britanik Neville Chamberlain, me nderime shtetërore.

Chamberlain nuk ishte i ftuar i Hitlerit, por ai kishte udhëtuar në Gjermani për të marrë pjesë në “Konferencën e Mynihut të 4 fuqive”, për krizën çeke dhe bashkë me të në takim do të ishte kryeministri italian, Benito Mussolini dhe Herman Goering, politikan gjerman dhe lider ushtarak, një nga figurat më të fuqishme të Partisë Naziste, që drejtoi Gjermaninë nga viti 1933 deri në 1945.

“Sot në mëngjes pata një bisedë tjetër me kancelarin gjerman, Herr Hitler dhe këtu kam një letër, që mban emrin e tij dhe emrin tim në fund. Disa nga ju ndoshta e dinë apo e kanë dëgjuar se çfarë përmban ajo, por unë do doja t’jua lexoja vetë. Ne, fyhreri gjerman dhe kryeministri britanik, kemi patur një takim më herët sot dhe ramë dakord të njohim e vlerësojmë marrëdhëniet anglo-britanike, si të një rëndësie të jashtëzakonshme për dy vendet tona dhe për Europën. Marrëveshja është firmosur mbrëmë dhe pika detare e firmosur, është thjesht simbol i dëshirës së dy njerëzve që kurrë nuk do të shkojnë në luftë kundër njëri-tjetrit. Jemi dakordësuar që metoda e konsultimeve duhet të jetë një metodë e adoptuar me shumë çështje të tjera që mund të shqetësojnë dy vendet dhe jemi të vendosur që të vazhdojnë përpjekjet për të eleminuar çdo burim diferencash e ndryshimesh dhe të kontribuojmë bashkarisht për të siguruar paqen në Europë”, thonte Chamberlain.

Neville Chamberlain

Por, pak muaj do të kalonin dhe ushtria gjermane do të hynte në Moravia, një rajon i vogël e historik në lindje të Republikës Çeke. Dhjetëra tanke e qindra ushtarë gjermanë hynë në qytet, teksa banorët i shohin me kureshtje, pa e ditur se çfarë po ndodh.

Hitleri ndërkohë kishte informuar ushtrinë e tij për atë çka kishte ndërmend të bënte dhe udhëzimit e tij ishin të qarta. Përveç Moravës, në 1939 ushtria gjermane piketoi Poloninë. Avionët ushtarakë gjermanë nisën të bombardojnë nga ajri, ndërsa Varshava u ndez në flakë. Që në ditët e para u shënuan dhjetëra viktima.

Kur kryeqyteti polak Varshava u dorëzua në 27 shtator, pas 4 javësh bombardime intensive, më shumë se 60 mijë ushtarë polakë kishin mbetur të vrarë. Përpos tyre, edhe 25 mijë civilë.

Kudo kishte pllakosur heshtja. Por, në shtator të vitit 1939, nga Uashingtoni, Presidenti amerikan Franklin Roosevelt foli për atë çka po ndodhte: “Kur paqja është thyer diku, paqja e të gjitha kombeve kudo në botë është në rrezik”.

Në fund të shtatorit të po atij viti, ushtria gjermane hyri edhe në Holandë. Po njësoj ndodhi edhe në vendet skandinave, në prill të vitit 1940. Mediat kishin nisur të shkruanin titujt: “Ushtria naziste pushton Danimarkën dhe Norvegjinë”. Bombardimet kishin nisur edhe në veri të Francës.

Në Angli, pasojat nisën të ndihen në dhjetor të vitit 1940, me godina të shkatërruara ndërsa zjarrfikësit në terren përpiqeshin të shuanin zjarrin. Në shtator të vitit 1940, trupat gjermane bombarduan Londrën, rëndë, pa ndalim, për 57 ditë e 57 netë. Kjo ishte periudha më shkatërruese, nga shtator 1940 deri në maj të 1941, përgjatë se cilës u lëshuan plot 50 mijë bomba, që shkaktuan 43 mijë të vdekur.

Operacioni “Barbarossa” ishte emri i koduar për invazionin gjerman në Rusi, që nisi pa asnjë paralajmërim më 22 qershor 1941. Lufta e Dytë Botërore i kushtoi Rusisë 13 milionë të vdekur.

Dy vite më pas, ushtria gjermane kishte arritur përmes shkretëtirës të hynte në Tobruk të Libisë. Ndërkohë, që nga ajri kishin nisur luftimet, me forcat ajrore mbretërore që tentonin të qëllonin avionët gjermanë. Tobruk ishtë një tjetër pikë kyçe e fushës së betejës, me 3651 ushtarë kryesisht nga Britania, Australia, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut, që u varrosën pranë Acromas, 25 km në perëndim të qytetit. Mijëra libianë u vranë gjithashtu gjatë konfliktit. Saga e Tobrukut zgjati plot 240 ditë, nga prilli deri në nëntor.

Në një tjetër kënd, teksa luftimet vijonin në Europë dhe konflikti në Lindjen e Largët ishte shndërruar në një luftë të hidhur e të ashpër, Japonia nisi një sulm të papritur në Pearl Harbour. Sulmi surprizë ishte i frikshëm dhe i shpejtë. Vetëm 96 anije në port u shpëtuan, edhe pse pësuan dëme të konsiderueshme. Numri i të vrarëve ishte po ashtu i frikshëm: 2300 amerikanë humbën jetën, ndërsa 1200 të tjerë u lënduan rëndë. Menjëherë, SHBA, Britania e Madhe, Holanda dhe disa shtete të Amerikës Latine hynë në luftë kundër Japonisë. Pak ditë më pas, Gjermania dhe Italia hynë në Japoni.

Në Singapor, pika e parë që u bombardua ishte Pallati i Sulltanit dhe hoteli Raffles, një nga më luksozët në vend. Edhe Singapori vuajti pushtimin japonez për 3 vjet, nga 1942 deri në 1945.

Ishujt Solomon ishin skena e luftimeve për 6 muaj me radhë, mes trupave amerikane dhe atyre japoneze, që i kushtoi jetën 38 mijë ushtarëve.

Stalingradi në Rusi nuk mund t’i shpëtonte hartës së luftimeve. Kjo betejë mbahet mend në histori si vendi ku trupat sovjetike mposhtën pas 6 muajsh betejë forcat naziste, nga gushti i 1942 deri në shkurt të 1943. Aty u vranë 2 milionë njerëz, në atë që njihet si fitorja decizive e ushtrisë së kuqe. Për Rusinë dhe Gjermaninë, qyteti i Stalinit, Volga, ishte pika e kthesës së luftës në lindje dhe atje ushtria gjermane dështoi. Në këtë moment, rusët nisën rrugën drejt Berlinit.

Në Siçili të Italisë, ushtarët aleatë kishin hyrë në qytet dhe ishin pozicionuar në mbrojtje. Por, bombardimet dhe shpërthimet vijuan edhe në distancë. Më 4 korrik 1944, aleatët çliruan Romën nga gjermanët, që kishin pushtuar kryeqytetin që prej rënies së diktatorit fashist Benito Mussolini, një vit më parë. Avancimi nga Siçilia, që nisi më 11 korrik 1943, i kushtoi jetën 40 mijë ushtarëve dhe më shumë se 100 mijë të tjerë mbetën të plagosur. Shpallja triumfuese se Roma më në fund ishte çliruar u përhap në të gjithë vendin, dy ditë më vonë. Të rralla ishin provincat e fshatrat që i shpëtuan bombardimeve.

Në qershor të vitit 1944, në pamje shfaqen ushtarët gjermanë teksa largohen nga Roma teksa banorët përshëndesin e brohorasin mbërritjen e trupave aleate.

Papa Piu mbajti një meshë nga ballkoni i Vatikanit, ku bënte thirrje për paqe, ndërsa sheshi ishte mbushur plot, pavarësisht situatës së luftës.