Emergjenca koronavirus, gara për presidencën në SHBA dhe skandali Weinstein

Përditësuar më: 29/2/2020, ora 11:49

Emergjenca koronavirus, gara për presidencën në SHBA dhe skandali Weinstein

Përditësuar më: 29/2/2020, ora 11:49

Për javë me radhë, bota vështroi e shqetësuar teksa Kina luftonte me armikun e ri të njerëzimit, virusin Covid-19. Ndërsa mobilizimi në të gjithë botën ishte masiv për të parandaluar një pandemi të re globale, beteja për shumë kohë ishte kryesisht e Kinës dhe shpesh kundër Kinës, ndërsa të gjithë mendonin si të bllokonin hyrjen e pathogjenit të ri në kufijtë e tyre.

Por, pikërisht kur shifrat në Kinë filluan të ulen pas dy muaj rritje drastike, ndodhi ajo së cilës Europa i druhej më shumë. Koronavirusi nuk ishte më një realiet i largët, por një problem i madh në zemër të Europës. Në vetëm pak orë, Italia u shndërrua në vatrën kryesore të virusit në Kontinentin e Vjetër. Situtata doli shpejt jashtë kontrollit, me autoritetet që as nuk arritën dot të identifikonin pacientin zero, pra atë që e kishte sjellë virusin nga Kina.

Si u përhap virusi në Italinë fqinje

Të premten e kaluar, Italia u zgjua nën makthin e viktimës së parë nga koronavirusi, një 78-vjeçar që kishte ndërruar jetë në spitalin e Padovës, ku kishte qenë i shtruar për 10 ditë. Një rrufe në qiell të hapur që ra pak orë pas lajmit për rastet e para të transmetimit sekondar, pra kur personat infektohen nga të tjerë që vinin nga vatra kryesore e epidemisë, Kina. Në 48 orë, Lombardia dhe Veneto u blinduan, me shkollat, kinematë dhe ambientet publike që u mbyllën për të parandaluar përhapjen e virusit. Por, si u përhapën me kaq shpejtësi rastet në këto dy rajone? Autoritetet ia faturojnë përgjegjësinë stafit të disa strukturave spitalore, që, sipas tyre, nuk kanë qenë në gjendje të njohin menjëherë simptomat e virusit. Në një spital të Kodonjos, ku gjendej i shtruar pacienti 1, u infektuan të paktën 5 mjekë dhe infermierë. Gjithashtu, në një spital të Venetos ku gjendej i shtruar një pensionist, infermierë dhe sanitarë që ndoqën rastin rezultuan pozitiv ndaj covid-19. Askush nuk dyshonte për të sëmurë me koronavirus. Mbërritja e virusit në spital vetëm sa e amplifikoi përhapjen e tij, pasi pikërisht atje gjenden subjektet më të brishta e më të rrezikuara ndaj infektimit. 

Paralizohet jeta në zemrën financiare të Italisë

Koronavirusi është shtrirë në 10 rajone të Italisë, por vatrat kryesore mbeten Lombardia dhe Veneto, zemra financiare e shtetit fqinj. Të prekurit janë me qindra, ndërsa viktimat janë persona të moshuar me probleme të tjera shëndetësore. Lajmi i mirë është se shumica e rasteve rezultojnë të lehta, e shumë pacientë të shtruar në spital janë shëruar. 9 qyteza me rreth 50 mijë banorë janë vënë në izolim, në atë që është quajtur “zona e kuqe”. Postoblloqe policie pengojnë daljen nga zona, ndërsa ata që duan të hyjnë paralajmërohen se nuk mund të ikin më. Shkollat dhe dyqanet janë mbyllur dhe aktivitetet publike janë pezulluar. Brenda disa orëve, qyteti më dinamik i Italisë, Milano, e humbi ritmin e tij, me muzetë dhe shkollat që ulën qepenët dhe rrugët që u boshatisën. Venecia anuloi aktivitetin më të rëndësishëm të vitit, karnavalet. Italia varet fuqishëm tek udhëtimet, turizmi dhe eksporti, dhe impakti i koronavirusit tek ekonomia ishte i menjëhershëm. Megjithatë, një javë pas shpërthimit të epidemisë autoritetet duan të kthejnë faqe dhe japin sinjalet e para të kthimit gradual në normalitet. Shkollat në disa rajone mund të hapen të hënën. Gjithashtu, simboli i Milanos, Duomo, do të hapë dyert për turistët, edhe pse me kufizime. 

Veriu i Italisë u shndërrua shpejt në Kinë të dytë, nga i cili filloi të ruhej edhe vetë jugu. Pas kinezëve, shtetasit italianë u bënë më të padëshiruarit anekënd globit. Vendet e Bashkimit Europian ranë dakord për të mos i mbyllur kufjtë, por cilat ishin disa prej masave kufizuese që prekën italianët këto ditë?

– Izraeli, Jordania, Seishel, Mauricius po u ndalojnë hyrjen të gjithë italianëve, duke ndaluar fluturimet nga ky vend. Vende të tjera po e konsiderojnë këtë masë.

– Austria, Franca, Sllovenia, Zvicra, Kroacia dhe Gjermania kanë njoftuar se mbyllja e kufijve do të ishte një masë e ekzagjeruar. 

– Serbia, Izraeli, Kroacia dhe Irlanda udhëzojnë qytetarët të mos udhëtojnë drejt Italisë për shkak të numrit në rritje të rasteve me koronavirus.

– Rumania po vendos në karantinë 14-ditore udhëtarët e ardhur nga zonat e prekura nga koronavirusi.

– Britania e Madhe i kërkon vetëizolim të gjithë atyre që vijnë nga Italia Veriore dhe që kanë simptoma të ndonjë gripi. 

– SHBA ka urdhëruar personelin ushtarak amerikan në Itali të shmangë udhëtimet e panevojshme drejt rajoneve më të prekura.

– Holanda urdhëroi qytetarët e vet të mos shkojnë në vatrat e virusit dhe kanë identifikuar Romën dhe Lazion si zona të rrezikuara. 

– Rusia u këkron operatorëve turistikë të shmangin Italinë, ashtu si Kornë e Jugut dhe Iranin.

– Bashkimi europian ndërkaq, bën thirrje per reagim të koordinuar mes shteteve anëtare. 

Koronavirusi në Itali, flet mjeku shqiptar në Toskanë

Bluzat e bardha janë në radhën e parë të betejës kundër koronavirusit, ata që kanë përgjegjësinë më të madhe, por edhe më të rrezikuarit për t’u prekur. Mjeku shqiptar Genc Kapxhiu, i cili punon në ndihmën e shpejtë në spitalin San Donato Arezzo në Toskanë, dha detaje në një intervistë për A2.

Si është situata në rajonin tuaj dhe më gjerë në zonat më të prekura të Italisë?

Situata është normale, por nuk e ulim gadishmërinë për asnjë moment.

Lexojmë çdo ditë për një mobilizim maksimal të resurseve mjekësore në Itali për të përballuar situatën. Si po veprohet dhe çfarë protokollesh po ndiqni?

Protokolli është i njëjtë për të gjithë. Pacienti duhet të njoftojë nëpërmjet numrit të emergjencës apo mjekut të familjes dhe nëse pacienti ka pasur kontakt me burimin e infeksionit, marrim masat që të mos ketë kontakt me jashtë. Protokolli nuk të lë të gabosh.

Si mjek i urgjencës jeni mes më të ekspozuarve ndaj infektimit me virusin e ri. A keni frikë ju? Nga Italia vijnë raportime për mjekë dhe infermierë të prekur, të cilet po mbahen të izoluar.

Jo, frikë nuk ka. Çdo pacient që hyn në urgjencë kalon në dy zona filtri. Nëse ka minimumin e dyshimit, pacienti izolohet.

Ditari i “zonës së kuqe”. Mësuesi italian rrëfen jetën në izolim

“Casalpusterlengo. Këtu jemi vetëm unë dhe hija ime. Parkingu këtu është gjithmonë, gjithmonë i mbushur. Veçanërisht gjatë fundjavave dhe në mbrëmje, pasi këtu ka shumë bare. Është hera e parë në jetën time që e shoh të boshatisur. E pabesueshme”. 35-vjeçari Marzio Toniolo, mësues në një shkollë fillore jeton në qytetin e qetë të San Fioranos, në veri të Italisë dhe është mes mijëra personave që i kanë lënë jetët pezull, të vënë nën karantinë, ndërsa Italia përpiqet të kontrollojë përhapjen e koronavirusit. Ai pasqyron çdo ditë, në formën e një ditari, jetën e familjes së tij në të ashtuquajturën “zona e kuqe”. Dyqanet, restorantet, baret e madje edhe kishat janë të gjitha të mbyllura. Ushqimet mungojnë dhe Toniolos i duhet të udhëtojë 6,5 km larg për të gjetur një supermarket të hapur. Punonjësit atje, sipas Toniolos, janë heronj.

“Shkuam në Codonjo për të blerë ushqime. Supermarketi po menaxhohet në mënyrë të jashtëzakoshme. Të gjithë janë të sjellshëm dhe punojnë pa pushim, pavarësisht rrezikut që po u kanoset. Rroga e tyre duhet të trefishohet”, tregon mësuesi.

Një roje sigurie me maskë mbrojtëse qëndron në hyrje të supermarketit në Codonjo, një qytezë e vogël ku shpërtheu fillimisht epidemia javën e kaluar. Radhë të gjata banorësh presin me durim. Në supermarket lejohen të hyjnë nga 5 persona me radhë: “Më vonë, në San Fiorano, takova dy njerëz, historitë e të cilëve më prekën. I pari ishte Rudy, një i ri që ka vendosur t’u çojë personave në nevojë bukën që përgatit në shtëpi. Natyrisht, pa para’. Më pas, është një farmaciste nga Breshia qe vendosi të qëndrojë këtu për të ndihmuar banorët. Familja dhe fëmijët e saj gjenden në Breshia. Komuniteti i San Fioranos do të dalë edhe edhe më i bashkuar nga e gjitha kjo. Fshati është i vogël, por komuniteti është i fortë”. 

Ulen rastet në Kinë, shqetësim për vatrat e reja

Kina vazhdon të mbetet vatra kryesore e virusit covid-19, por për herë të parë këtë javë, numri i rasteve jashtë vendit ishte më i lartë. Në total, mbi 2800 persona kanë humbur jetën në të gjithë botën, ndërsa personat e prekur janë rreth 83 mijë. Virusi është shpërndarë në të gjitha kontinentet, përveç Antarktidës, dhe pas Kinës, më të prekura janë Koreja e Jugut me mbi 2300 raste, Italia dhe Irani. Vatrat e reja kanë shqetësuar OKB që bën thirrje për gatishmëri. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i OBSH, tha: “Çdo vend duhet të jetë gati për rastin e parë, për vatrën e parë. Virusi nuk respekton kufijtë. Me masat e duhura ai mund të kontrollohet. Nuk është koha për frikë, por për veprim”. 

Nga Italia, virusi kaloi me shpejtësi kufijtë drejt vendeve fqinje. Në Francë, rastet u shumëfishuan në pak ditë dhe pati gjithashtu një viktimë. Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia raportuan gjithashtu raste me virus, ashtu si Rumania, Finlanda, Spanja, Holanda, Danimarka, Gjermania dhe Britania. Të infektuarit janë kryesisht persona që kanë udhëtuar në Itali së fundmi. Arabia Saudite ndalon udhëtimet në vendin më të shenjtë të Islamit, Mekë, vetëm disa muaj para pelegrinazhit të Haxhit, ndërsa Emiratet e Bashkuara vunë nën karantinë dy hotele në Abu Dabi.

Turistë që gjendeshin në anijen kroçerë “Diamond Princess” kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit. Situtata me koronavirusin është reflektuar në tregjet elektronike, me bursat në të gjithë botën që shënuan tkurrje të mëdha. 

Gara për presidencën në SHBA

Kandidatët demokratë për presidencën i ashpërsuan tonet në debatin e Charleston, në Karolinën e Jugut. Përballja e dhjetë televizive degjeneroi shpejt në sulme e ngritje zëri. Ai që ndjeu më së shumti zjarrin ishte Bernie Sanders, prentendenti për të fituar garën demokrate pas fitoreve në zgjedhjet paraprake të Nju Hemshër dhe Nevadës. Rivalët e sulmuan lidhur me propozimet progresive, e pati nga ata që pretenduan se Rusia po e mbështet fushatën e Sandersit. Michael Bloomberg tha: “Vladimir Putin mendon se Donald Trump duhet të jetë President i Shteteve të Bashkuara. Dhe prandaj Rusia po ju ndihmon ju që të zgjidheni, në mënyrë që të fitojë ai”.

Elizabeth Warren theksoi: “Bernie dhe unë jemi dakord për shumë gjëra, si kujdesi shëndetësor universal. Por, unë do të isha një presidente më e mirë se ai. Plani i tij nuk e shpjegon se si mund të realizohet kjo, apo se sa do të paguajmë ne. Unë jam thelluar mbi çështjen”.

I vënë nën trysi nga kundërshtarët, Sanders u detyrua të sprapset nga votimi i vitit 2005 për mbrojtjen e prodhueseve të armëve nga përgjegjësia ligjore për vdekjet që lidhen me produktet e tyre: “Unë kam hedhur mijëra vota, përfshirë edhe të këqija. Ai ishte një votim i keq”. 

Kandidatët demokratë i kanë kthyer sytë nga zgjedhjet e Karolinës së Jugut në fundjavë dhe gjithashtu tek super e marta, ku një e treta e vendit do të bëjë zgjedhjen e vet për Presidentin. 

Skandali Weinstein/ Mbreti i Hollivudit që u kthye në një kriminel

Lëvizja kundër abuzimeve seksuale, #Metoo, siguroi një fitore të madhe të hënën, kur një gjykatë e Nju Jorkut e shpalli fajtor ish-producentin e suksesshëm të hollivudit, Harvey Wenstein. 67-vjeçari u dënua për përdhunim të shkallës së tretë dhe akt seksual kriminal të shkallës së parë. Manjati i kinemasë rrezikon një dënim nga 5 deri në 25 vite burg. Megjithatë, ai u shfajësua nga akuza më e rëndë e agresionit seksual predator, për çka mund të dënohej me burgim të përjetshëm. Të paktën 80 gra e kanë akuzuar atë për ngacmime dhe abuzime seksuale të shtrira në 30 vite, përfshirë aktoret Gwyneth Paltrow, Uma Thurman dhe Salma Hayek. 6 gra dëshmuan kundër Weinstein në procesin e zhvilluar në Nju Jork, por rasti i prokurorisë bazohej në akuzat e vetëm dy prej tyre; ish-asistentja Miriam Hailey dhe aspirantja për aktore Jessica Mann. Pas vendimit, 67-vjeçari u ndje keq dhe u shtrua në spital. Atij i duhet të përgjigjet ndaj akuzave për përdhunim dhe abuzime seksuale edhe në një gjykatë në Los Angeles. 

Dikur konsdierohej si mbret i Hollivudit, sot është një kriminel i shpallur fajtor për abuzime seksuale. Harvey Weinstein, producent i dhjetëra filmave të suksesshëm, nga Malena tek Pulp Fiction apo Shakespear in Love përfundoi në syrin e ciklonit në tetor të vitit 2017, kur një hetim i “New York Times” hodhi dritë mbi raste abuzimesh seksuale që kishin shenjuar karrierën
e tij prej 3 dekadash. Aktoret Ashley Jude dhe Rose McGowen ishin në radhën e parë të grave që pretendonin se ishin bërë viktima të dhunës fizike dhe psikologjike. 3 prej tyre rrëfyen se Weinstein i kishte përdhunuar. Edhe pse mohonte të kishte kryer marrëdhënie seksuale jokonsensuale, Weinstein kërkoi ndjesë që i kishte shkaktuar dhimbje kolegeve dhe tha se do të tërhiqej për një kohë të pacaktuar nga funksioni në kompaninë The Weinstein Co. Nga ky moment, e gjithë perandoria e tij nisi të shembej në sy të publikut. Bashkëshortja prej shumë vitesh, Georgina Chapman, e braktisi, Akademia e Çmimeve Oscar e përjashtoi nga rangjet e saj, ndërsa kompania që kishte themeluar vetë e shkarkoi. Gjithnjë e më shumë kolegë filluan të thyenin murin e heshtjes duke drejtuar gishtin nga abuzuesi i pushtetshëm që u kishte ofruar role e famë në këmbim të seksit. Skandali mori përmasat e një lëvizje të gjerë sociale në rrjet, e quajtur #Metoo. Nëse jeni shantazhuar ndonjëherë seksualisht, shkruani #Metoo në përgjigjje të këtij postimi, do të shkruante aktorja Alisa Milano mbi atë që më vonë u bë hashtagu më i përdorur nga miliona gra në të gjithë botën. Skandali u zgjerua duke përfshirë edhe aktorë e regjisorë të tjerë, edhe pse jo me jehonën e rastit Weinstein, i mbështetur në fakte e dëshmi tronditëse. Manjati i kinematografisë u përpoq në çdo mënyrë për të mohuar përfshirjen, e tentoi të bllokonte akuzat gjithmonë e në rritje duke punësuar madje detektivë e ish-agjentë të Mosadit për të gjurmuar gratë e abuzuara dhe gazetarët që po punonin mbi rastin. Në janar të 2018-s, yjet e Hollivudit nisin fushatën Time’s up për të luftuar abuzimet seksuale në vendin
e punës. Në 25 maj të 2018-s, Weisntein dorëzohet në polici nën akuzat për përdhunim
dhe akt seksual kriminal ndaj dy grave në 2004 dhe 2013. Në fazën e procesit gjyqësor, avokatja mbrojtëse e producentit Donna Rotunno, pretendonte se viktimat kishin pranuar të kryenin marrëdhënie seksuale me klientin e saj, për të bërë karrierë dhe se tani po shfrytëzonin rastin për të rifituar popullaritetin e humbur. Ai i Nju Jorkut është vetëm fillimi i një liste të gjatë procedimesh gjyqësore. Tjetri do të zhvillohet në Kaliforni, kur burri duhet të mbrohet nga 4 akuza të tjera.