Koronavirusi anulon Venecian, Manja: Kurdo që të mblidhet, do të duhet ta presim

Anulimi pa afat i sesionit plenar të Komisionit të Venecias, si rrjedhojë dhe opinionit për konfliktin Presidencë-maxhorancë për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, reflektohet dhe te hetimori për shkarkimin e Ilir Metës.

Maxhoranca nuk do të hedhë asnjë hap pa pasur interpretimin e Venecias, çka e shtyn pa afat gjithashtu shkarkimin e Presidentit të Republikës. “Në vlerësimin tim ne do të duhet të presim Venecian. i jemi drejtuar Venecias për një opinion dhe duhet ta presim”, tha kreu i Komisionit Hetimor, Ulsi Manja. “Kurdo që do të mblidhet Venecia, do të duhet ta presim”.

Në përfundim të hetimit, komisioni duhet t’i dërgojë për votim Kuvendit një raport, nëse duhet shkarkuar, apo jo, Presidenti. Më pas, vendimi final i takon Gjykatës Kushtetuese, ende jo funksionale. 

Ndërkohë, një tjetër eksponent i maxhorancës po e vazhdon personalisht betejën me Presidentin e Republikës. Ajo është Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. “E rëndësishme është që beteja politike të jetë me argumente politike dhe ligjore. Besoj se e gjitha ka të bëjë me drejtësinë dhe për sa kohë ne do të çojmë përpara këtë reformë, asgjë tjetër nuk do të na zmbrapsë. Unë respektoj ligjin dhe dua që ata të flasin dhe jo unë para tyre. Unë jam shprehur që jam e gatshme të përgjigjem ligjërisht, padia në SPAK nuk më shqetëson fare”, tha ajo.

Të premten raportoi para Komisionit Hetimor, një tjetër i akuzuar dhe paditur nga Ilir Meta, Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.