Partizani reagon ashpër pas humbjes: Na vodhën djersën

partizani humbja derbi 600x338

Klubi i Partizanit ka reaguar ashpër me anë të një postimi në Facebook pas humbjes 5-1 në derbin ndaj Tiranës.

Sipas klubit të kuq, “protagonizmi i theksuar i skuadrës së arbitrave dëmtoi në mënyrë të njëanshme mbarëvajtjen e një ndeshje që duhet të ishte model”.

“Thellësisht të hidhëruar për vjedhjen që i bëhet djersës së lojtarëve dhe dëmtimin e vazhdueshëm që i bëhet ekipit në ecurinë e tij në këtë kampionat, kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit marrjen e masave të menjëhershme ndaj kësaj kaste arbitrash që bashkë me imazhin e Partizanit po dëmton dhe imazhin e Kategorisë Superiore si dhe vetë Institucionin më të lartë të Futbollit në vend, duke rritur pakënaqësinë e sportdashësve përkundrejt besueshmërisë së garës sportive”, lexohet në postimin e Partizanit.

Më tej, Partizani rendit episodet ku, sipas tij, gaboi arbitri: “11 metërsh të padhënë në favor, karton të kuq të munguar ndaj kundërshtarit për sjellje antisportive dhe vazhdon me 11 metërsha kundër, plus karton i kuq në rastin më të parë…etj, etj. Të gjitha këto në mes të kryeqytetit, para 20 mijë spektatorëve dhe mijëra teleshikuesve!!!”.