Të pastrosh 50 tonë plehra për 4 orë – A2

Të pastrosh 50 tonë plehra për 4 orë

Mardi Grass është një festë e madhe që zhvillohet çdo vit në Nju Orlin, Luiziana. Por edhe pse janë qindra-mijëra ata që festojnë, pakkush e di se si i lënë ata rrugët kryesore të qytetit pasi mbaron festa. Fotot e realizuara nga Sidney Donaldson Jr. tregojnë detyrën e vështirë që patën këtë vit punëtorët e pastrimit, të cilët u detyruan të pastronin, sipas vlerësimeve të autoriteteve, 50 tonë plehra në atë që quhet Lagja Franceze.

Donaldson tha për mediat amerikane se fotot i ka realizuar nga ora 4:00 e mëngjesit deri në orën 8:00, duke shtuar se punëtorëve, të “armatosur” me mjete të rënda, iu deshën saktësisht 4 orë për të rikthyer normalitetin.

Dikur pjesëtar i skuadrës së pastrimit, Donaldson, tha se shpreson që fotot e tij të sensibilizojnë turistët e shumtë që “pushtojnë” qytetin gjatë festës, për të mos e ndotur atë. Dhe deri diku ia ka arritur. Kur i postoi fotot fillimisht në llogarinë e tij në Facebook, ato u shpërndanë 27 mijë herë.

“Vizitorët mendojnë se qyteti është gjithmonë kaq i pisët, ndërsa vendasit fajësojnë turistët”, tha Donaldson. “Për mendimin tim, 99% të plehrave i hedhin njerëzit që vijnë nga jashtë”.