Kurti, letër për Trump: Kemi qenë të pakoordinuar, por kjo përfundon me qeverinë time

79184049 753240165175870 3054445015653679104 o 1100x620

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar letër presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për t’i informuar mbi përkushtimin e qeverisë së tij për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut, procesi i duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve.

“Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë”, shkruan Kurti

Gjithashtu, Kurti informon Presidentin Trump edhe lidhur me vendimin për heqjen e taksës duke filluar nga 15 marsi dhe pret nga Beogradi t’i largojë të gjitha barrierat jotarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohjet e Kosovës.

“Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet bërë përbrenda procesit të dialogut, i cili do të kulmonte me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është rrugë e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri në Ballkan.

Së këndejmi, duke filluar nga 15 marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para. Këtë e bëjmë si shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim t’i largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës.

Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen.

Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën negociuese. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër, udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, si dhe partnerët tanë në BE, për ta çuar përpara këtë proces.

Qeveria ime i sheh marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara si marrëdhënie me rëndësinë më të lartë strategjike për vendin tonë, si aleancë që është e bazuar në vlera dhe interesa thellësisht të përbashkëta. Administrata juaj tashmë ka pasur ndikim të madh pozitiv në Ballkanin Perëndimor, duke sjellë energji të reja dhe zbatueshmëri në zgjidhjen e problemeve, gjë që ne e mirëpresim jashtëzakonisht shumë. Mezi presim ta thellojmë partneritetin dhe të punojmë së bashku me Shtetet e Bashkuara në shtimin e mundësive ekonomike, forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e sigurisë rajonale, shtyrjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, si dhe për çështjet e tjera”.

Pjesë e letrës së Kurtit dërguar Presidentit Trump