Ngjarje e rëndë në Durrës, vriten dy persona – A2

Ngjarje e rëndë në Durrës, vriten dy persona

Dy persona janë vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së hënës në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.

Policia ka bërë të ditur se në rrugën afër tregut të perimeve, në rrethana akoma të paqarta kanë humbur jetën shtetasit, Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia, të cilët dyshohet të jenë qëlluar me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, si dhe grupi hetimor. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona në një perimetër të gjerë. Pika kontrolli janë ngritur edhe nga DVP Tiranë e Fier, në aksin rrugor Durrës-Tiranë e Durrës-Lushnjë.

Në mbështetje të Policisë vendore janë nisur dhe grupe të FNSH-së së Tiranës, për krehjen e zonës.

Paraprakisht dyshohet se është qëlluar nga një automjet në lëvizje. Shërbimet e Policisë kanë mundur të identifikojnë targat dhe janë vënë në ndjekje të autorëve.

Pak pas ngjarjes së rëndë, policia gjeti një makinë të djegur pranë Bishtit të Zhurit, e cila dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së rëndë.