Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Nesho: E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e reja

Nga A2 CNN
3 Mars 2020, 10:40 | Politikë
Nesho: E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e reja

Ish-ambasadori shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Agim Nesho, ishte pjesë e personaliteteve publike që morën pjesë të hënën pasdite në tubimin e presidentit Ilir Meta. “Vendi është përpara një krizë kushtetuese, demokracia po vuan. Detyra jonë është të jemi prezent para kësaj krize. M’u dha mundësia dhe e vlerësoj shumë, sepse ishte një manifestim me përmasa shumë të mëdha”, tha Nesho, i ftuar në Ditarin e mëngjesit në A2.

“Nuk ishte vetëm për përkrahje ndaj presidentit, i cili për hir të së vërtetës po mbron një kauzë të drejtë, ka gjetur sensibilizimin e popullit që në mënyrë dëshpëruese po kërkon për një zgjidhje. Zgjidhja e vetme është zgjedhje të reja. Ky miting është një kambanë alarmi për të gjithë ne, jo vetëm për shkeljen e kushtetutës, por edhe gjithë problemet e tjera që tregojnë që ka arritur në një pikë që vendi kërkon zgjidhje më të madhe”.

Nesho tha se në perëndim, kur politika humb legjitimitetin i drejtohet sovranit. Diçka që nuk ndodh në vendin tonë. “Kjo gjë mungon në Shqipëri, por është shumë evidente në botën perëndimore. Ne prandaj i zmadhojmë këto protesta, sepse klasa politike nuk ka kulturë, kërkon të mbajë pushtetin për hir të interesave të saj. Prandaj gjërat fryhen dhe shkojnë drejt të ashtuquajturave revolucione”.

Sipas ish-ambasadorit shqiptar në OKB, jemi në një situatë dëshpëruese, ku i vetmi institucion i mbetur është ai i presidentit. “Ka pasur raste kur presidenti e pranoi se është shkelur hapur kushtetuta, ku trysnia e mazhorancës i ka tejkaluar të gjitha format e bashkëveprimit mes të gjitha institucioneve demokratike”, tha ai.

Nesho nuk mendon se kjo lëvizje e Metës lë në hije opozitën. “Jo, opozita është pjesë e kësaj, nuk ka një besëlidhje të re. Njerëzit shikojnë që duhet një e tillë. Unë isha në miting dhe shumica e njerëzve thërrisnin “shpërndaj parlamentin”. Ka arritur në një pikë që njerëzit kërkojnë patjetër një ndryshim, që janë zgjedhjet e reja dhe rikthimi i legjitimitetit përmes votës popullore. Këtë duhet të kuptojë politika për të qetësuar vendin dhe për të mos i prishur ato hapësira të integrimit euroatlantik që ka përpara”, tha ai.

A2 CNN Livestream

Dita jonë