Sekuestrohet makina e blinduar e Lul Berishës, reagon avokati: Të ardhurat janë të ligjshme

Gjykata e Posaçme sekuestroi një makinë BMW të blinduar të Lulzim Berishës, ish-kreut të “bandës së Durrësit”.

Më 21 shkurt, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit i ka dërguar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 5 rastet e para të pronave të sekuestruara në bazë të akteve normative në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, ku mes tyre ishte edhe automjeti BMW i Lulzim Berishës.

Pasuritë e Lulzim Berishës kanë kaluar njëherë nëpër filtrat e drejtësisë. Teksa gjykohej si drejtues i “bandës së Durrësit” në Gjykatën për Krimet e Rënda në një proces paralel, e njëjta gjykatë vlerësonte kërkesat e prokurorisë për konfiskimin e pasurive të sekuestruara të tij, që dyshoheshin si të krijuara nga aktiviteti kriminal.

Pas sekuestrimit, reagoi edhe avokati i Berishës, Detar Hysi, i cili tha se vendimi do të ankimohet. “Do të ankimojmë vendimin, pasi të ardhurat për blerjen e mjetit janë të ligjshme dhe të deklaruara”, tha Hysi.