Takim sekret në Uashington, Grenell bën bashkë Thaçin dhe Vuçiçin. Polemika në Kosovë

Takimi sekret në Uashington mes presidentëve të Kosovës dhe Serbisë ka ngjallur polemika në Prishtinë. Kryeministri Albin Kurti kërkon transparencë për atë që po negocion Hashim Thaçi me Aleksandër Vuçiçin dhe thotë se Kreu i Shtetit duhej të raportonte në Kuvend para vizitës në SHBA.

Sipas asaj që raportojnë mediat e Kosovës, që prej marrjes së drejtimit të qeverisë, Kurti i ka dërguar disa ftesa Presidentit Hashim Thaçi për t’u takuar për të bashkërenduar qëndrimin për politikën e jashtme. Por, këto ftesa nuk janë pranuar e as refuzuar. Në kundërpërgjigje të këtyre polemikave, Thaçi i ka dërguar një shkresë zyrtare Kuvendit të Kosovës duke kërkuar një seancë më 4 mars për të raportuar para deputetëve për takimet që ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara, përfshirë atë me Vuçiçin, të ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm i administratës amerikane, Richard Grenell, dhe këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien.

Edhe presidenti serb komentoi zhvillimet në Uashington, duke theksuar për median publike RTS se ishte një takim i zakonshëm dhe normal. Polemikat u ndezën dhe më shumë për shkak të një raportimi të korrespondentit të “The Economist”, Tim Judah, që pretendon se Thaçi dhe Vuçiç biseduan për shkëmbim territori, heqje të taksës pa reciprocitet dhe që Serbia të mos njohë Kosovën, por të lejojë anëtarësimin e saj në OKB.

Sipas reporterit, kjo bëhet për shkak të shtysës së re të Ambasadorit Grenell dhe presidentit amerikan, Donald Trump për të arritur marrëveshjen finale sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, raportimet e tij përgënjështrohen nga ambasadorja e Kosovës në Amerikë, Vlora Çitaku dhe vetë Grenell.