Adriatik Llalla merret i pandehur për mosdeklarim pasurie – A2

Adriatik Llalla merret i pandehur për mosdeklarim pasurie

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, merret i pandehur për mosdeklarim të pasurisë, duke rrezikuar nga gjobë deri në 3 vite burgim. SPAK mbylli hetimet ndaj ish-kreut të akuzës pas 2 vite hetimesh për disa akuza të rënda.

Ditën e sotme, prokurori i çështjes, Klodian Braho, i ka komunikuar zyrtarisht akuzën Adriatik Llallës. Ai akuzohet për veprën penale të refuzimit për deklarim, sipas nenit 257/a të Kodit Penal. Vetë Llalla tha se është njohur me akuzën e prokurorisë, dhe se pret të mbrohet me avokat në procesin gjyqësor.

Llalla i ka mohuar akuzat e ngritura nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda duke e cilësuar hetimin ndaj tij si një goditje politike. Prej kohësh, ai ka sjellë prova në procesin hetimor, duke rrëzuar kështu akuzat e tjera që ishin ngritur ndaj tij.

Llalla u largua nga Prokuroria e Përgjithshme në fund të vitit 2017, për t’ia dorëzuar mandatin e tij ish-prokurores së përkohshme, Arta Marku.